Del në ankand kaligrafia 1000-vjeçare kineze

Del në ankand kaligrafia 1000-vjeçare kineze

Kultura August 15, 2019 - 17:56
Detajet

Një kaligrafi thuajse 1000-vjeçare e realizuar nga intelektuali kinez, Su Shi që mund të arrijë shifrën e 51 milionë dollarëve (43.6 milionë euro) do të dalë në ankandin e njoftuar në fund të muajit nëntor, bëri të ditur sot kompania ‘’Christie’s’’.

“Dru dhe gurë”, e vizatuar me bojë të zezë mbi një letër të mbështjellë në formë ruloni, paraqet një pemë që ngjan me një dragua.

“Vepra që daton nga periudha e dinastisë Song (960-1279) është një nga pikturat kineze më të rralla në botë”|, sipas Christie’s.

Filozofi kinez, i njohur gjithashtu me emrin e Su Dongpo është një nga personalitetet më të rëndësishme kulturore të Kinës. Ai ishte gjithashtu poet, shkrimtar, piktor, kaligrafist dhe politikan.

“Veprat e shkruara me vërtetësi prej tij janë shumë të pakta, pak a shumë dy apo tre. Ato janë shumë të rralla”, thekson Jonathan Stone, zëvendësdrejtori i Departamentit të artit aziatik tek “Christie’s”.

Letra e mbështjellë në formë ruloni, e gjatë 1,85 metra përmban kaligrafi dhe poema të katër filozofëve të shquar kinezë të shekullit XI si dhe vulat e 41 koleksionistëve.

Piktura do të prezantohet që nga 1 shtatori dhe do të dalë në ankand më 26 nëntor për shitjen në vjeshtë tek “Christie’s” në Hong-Kong.

Në 2010, një letër e mbështjellë në formë ruloni me kaligrafi e quajtur “Dizhuming” e realizuar nga Huang Tingjian, nxënës i Su Shi u shit në ankand për 64 milionë dollarë në Pekin./ATSh