Prizreni, gati për “DokuFest”-in dhe “Të vërtetën”

Prizreni, gati për “DokuFest”-in dhe “Të vërtetën”

Kultura korrik 30, 2019 - 09:48
Image

Për herën e 18-të me radhë festivali “DokuFest” ndez ekranet e kinemave në qytetin e Prizrenit. Sivjet në këtë festival, që para 18 vjetësh e ktheu në fakt kinematografinë në Prizren, trajtohet tema e së vërtetës. Kjo temë do të shtjellohet në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër përmes filmave, debateve e punëtorive. “DokuFest”-i nis edicionin e 18-të më 2 gusht dhe vazhdon deri më datën 10 gusht. Të hënën përmes një konference për medie, të mbajtur në Prishtinë, organizatorët bënë të ditur se do të shfaqen 282 filma gjatë 9 ditëve të festivalit. Sipas tyre, 100 filma do të jenë pjesë e programit garues përmes dokumentarëve. Ky edicion ka dhe programin e muzikës, që sivjet shtrihet në 4 skena të ndryshme, që nga iso-polifonia e deri te muzika elektronike eksperimentale e po ashtu një program filmash e aktivitetesh për fëmijë, shkruan sot gazeta "Zëri".

“DokuFest”-i për herë të parë me kinema udhëtuese

Drejtori artistik Veton Nurkollari shpalosi disa nga risitë që e karakterizojnë edicionin e sivjetmë. Kryesorja del të jetë kinemaja udhëtuese, e cila do të shfaqë filma nëpër vendet më rurale të qytetit të Prizrenit. “Ne do të kemi shtrirjen e festivalit, do të vazhdojmë të shfaqim filma në hapësira të hapura dhe të mbyllura me një risi të vogël që është kinemaja udhëtuese, ‘Solar Cinema’, e cila do t’i vizitojë disa nga lagjet, le të themi, të skajshme të Prizrenit. Kinema mobile e pajisur me panele solare, eko-friendly, kësisoj do ta dërgojmë festivalin në disa vende ku nuk ka qenë më parë”, thekson ai.

Nurkollari u shpreh i lumtur edhe me përzgjedhjen e sivjetme të muzikës, paneleve, ekspozitat, masterklasat që synojnë të nxisin diskutime mbi të vërtetën nga një cep i vogël i botës. Ai tutje prezantoi gjerësisht edhe serinë e shfaqjeve speciale, të cilat do ta shënojnë këtë edicion. “Kemi kuruar një program me 282 filma, prej tyre 160, pjesë e 6 kategorive garuese të përzgjedhur nga mbi 2000 filma, të cilët i kemi pranuar, një program i filmave që janë prodhuar jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe nga mbarë bota. Shumica e filmave janë filma të rinj, të këtij viti ose të vitit të kaluar, si dhe disa nga ta ose kanë fituar, ose kanë qenë të nominuar për ‘Oscar’, ose kanë qenë pjesë e festivaleve prestigjioze të Kanës, ‘Sundance’ dhe ‘Berlinale’”, thekson Nukollari.

Ai ka njoftuar se gjatë këtij edicioni do të sjellin po ashtu njerëz që vijnë nga këto festivale si anëtarë të jurisë ose si pjesëmarrës në panele, masterklasa e diskutime.  

Duke prezantuar filmat Nurkollari njofton se pjesë e programit masiv të filmave janë edhe disa shfaqje ose projeksione speciale. Ai ka veçuar disa, për të cilët shikuesit duhet t’i dinë. “Në kuadër të programit do të shfaqim filmin e Samirit, ‘Në Mes/In Between’, i cili këtë vit ka përfaqësuar Kosovën në ‘Berlinale’. Filmi i parë në historinë e Kosovës, i cili do të shfaqet jashtë konkurrencës. Po ashtu do të shfaqim një film që është punuar nga artisti i njohur kosovar Petrit Halilaj, nga performanca artistike e mbajtur vitin e kaluar, në Runik e titulluar ‘Shkrepëtima’. Një projekt që ka ngjallur shpirtin artistik dhe kulturor të Runikut. Të lumtur që do të shfaqim edhe filmin mbi pajtimin e gjaqeve në Kosovë, të prodhuar nga BBC-ja, e më pas do të kemi një bashkëbisedim me regjisoren e filmit, si dhe me hulumtuesen kryesore Lala Meredith - Vula”, u shpreh ai.

Në anën tjetër drejtoresha Nita Deda duke folur për programin e sivjetmë e cilësoi atë si masiv si për nga numri e përmbajtja e filmave, ashtu edhe për nga aktivitetet e tjera artistike e muzikore. “Program masiv filmash dhe program i muzikës që sivjet shtrihet në 4 skena të ndryshme që nga Iso-Polifonia e Osumit e deri te muzika elektronike eksperimentale e po ashtu një program i festivalit të fëmijëve. Një program i fotografisë, i kuruar nga Blerta Hoçia, e që do të shënohet me një ekspozitë fotografike të hapur për qytetarë. Sivjet programi i fëmijëve ‘DokuKids’ vjen me një format - një festivali brenda festivalit, me një shfaqje prej 50 filmave të kuruar nga Samir Karahoda. Po ashtu edhe me një numër të punëtorive të ndryshme kreative për filmbërje, si dhe mënyra kreative se si të përfshihen fëmijët në festival”, u shpreh Deda.

 

Karahoda: Emigrimi e racizmi, konceptet e së vërtetës në “DokuFest”

Samir Karahoda, koordinator i filmave të shkurtër, foli në detaje rreth programit garues kombëtar. Sipas tij, ky program karakterizohet nga një numër i madh i filmbërësve shqiptarë nga diaspora, si dhe disa panele e programe të veçanta. “Programi i shkurtër i filmave është kuruar rreth konceptit të vërtetës: emigrimi, çështjet gjinore dhe racizmi. Ajo që vlen të ceket është se rreth 50 për qind e autorëve të këtyre filmave do të jenë të pranishëm gjatë festivalit. Në anën tjetër, sa i përket garës kombëtare kemi 11 filma që janë pjesë e garës për çmimin e parë dhe atë të distribuimit. Prej tyre 5 janë premiera në ‘DokuFest’”, njofton Karahoda.

Ai tutje shton se edhe këtë vit nuk mungon prezenca e filmbërësve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit si Gjermania, Zvicra, si dhe dy filma të huaj që janë punuar prej autorëve të huaj, por trajtojnë tema aktuale vendore do të shfaqen në “DokuFest”. “Një risi tjetër është edhe programi i filmave për fëmijë, të cilin sivjet e kemi shënuar me një numër të filmave më të gjanë e ku fëmijët deri në moshën 14-vjeçare çdo ditë prej orës 10:30 deri në orën 11:30 do të mundin të shohin filma që shfaqen pa pagesë. Ky aktivitet do të vazhdojë më pas me vallëzime, lojëra dhe sport e punëtori si bëhet një animacion”, tha ai.

Duke folur për risitë Karahoda thekson se do të organizohet dhe një panel i quajtur “Meet The Festivals”, i cili përfshin afër 20 festivale të ndryshme nga mbarë bota e që sipas Karahodës është një mundësi e mirë për filmbërësit lokalë të vijnë e të takohen me këta përzgjedhës dhe drejtues të festivaleve si “Sundance”, “Berlinale” dhe Venedik. Ai thekson se ata mund të shohin se si bëhet përzgjedhja e filmave në festival.

Karahoda shpalosi edhe programin për fëmijë, program të cilin e cilësoi si mundësi frymëzuese ku fëmijët do të mundë të mësojnë dhe të argëtohen përmes mënyrave kreative. “Edhe për këtë vit kemi kuruar një program special për më të veçantit tanë të ‘DokuKids’, me plot 50 filma, punëtori të animacionit, të vallëzimit, plot lojëra e dëfrim. Programi ‘DokuKids’ përmban edhe punëtori me kurse shumëditore të filmit që do t’u mundësojnë fëmijëve dhe të rinjve ndjenjën e parë për mediumin e filmit e ku ata do të kenë rastin që përmes ushtrimeve të vogla të mësojnë si të ndërtojnë një rrëfim. ‘DokuKids’ fillon çdo ditë nga ora 10:30 deri në orën 11:30 prej datës 3 - 9 gusht”, tha Karahoda.

Në anën tjetër Linda Llulla-Gashi, drejtoresha ekzekutive, konsideroi se përpos filmave dhe festivaleve do të organizohen panele, masterklasa edhe punëtori. Sipas saj, punëtoritë kanë të bëjnë me filmbërje, ndërsa panelet do ta diskutojnë temën e festivalit, si dhe të vërtetën në medie. “Një panel tjetër do të trajtojë fuqizimin e të rinjve dhe punësimin e tyre meqë ‘DokuFest’-i është storje suksesi me mbi 150 vullnetarë dhe disa prej tyre i trajnojmë për pozita të ndryshme për të cilat ne kemi nevojë. I rëndësishëm është edhe takimi me ‘Creative Europe’, ku këndi i Kosovës ka organizuar një takim rajonal me këndet rajonale për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit për të aplikuar në fondet e Evropës Kreative”, u shpreh ajo.  

Llulla-Gashi njoftoi se këtë vit 18 filma janë prodhim i “DokuFest”-it, të cilët janë vazhdimësi e aktiviteteve gjatë vitit me të rinjtë e Kosovës, ku studentët e shkollave të mesme trajnohen se si të bëjnë një film dokumentar, të cilët shfaqen më pas në “DokuFest”, si dhe i distribuojnë nëpër festivale të ndryshme në botë. Zëri