Altin Basha sjell në 'arTurbina' premierën 'Vizita e inspektorit'

Altin Basha sjell në 'arTurbina' premierën 'Vizita e inspektorit'

Kultura June 28, 2019 - 10:49

Drama “Vizita e inspektorit”, e shkruar nga John Priesley, vjen premierë në skenë nga regjisori i njohur Altin Basha. Me një kast aktorësh të njohur regjisori Basha këto ditë po prezanton premierën te “arTurbina”.

Në dramën “Vizita e inspektorit”, nga John Priesley, rolet në vepër interpretohen nga gjashtë aktorë. Në personazhet kryesore të veprës kemi dy aktorët Rajmonda Bulkun dhe Petrit Malajn. Për të vijuar dhe me të tjerë në role aktorët: Besmir Bitraku, Florian Agalliu, Xhulia Musagalliu dhe Ismail Shino.

Në reagimin e tij për punën me këtë vepër teatrore regjisori Altin Basha flet dhe për bashkëpunimin me aktorët. Ai shprehet se me dramën “Vizita e inspektorit” ka angazhuar jo vetëm aktorë të njohur të teatrit, por dhe studentë të tij. “Dy personazhet kryesore luhen nga aktorët Rajmonda Bulku dhe Petrit Malaj, që janë dy aktorë karriere të njohur. Petriti kishte kohë që nuk ishte në teatër dhe ai përshtatet me personazhin, që është edhe kryesori në shfaqje, por dhe Rajmonda Bulku gjithashtu. Ndërsa katër të tjerët në role janë studentë dhe ish-studentët e mi”, shprehet regjisori Altin Basha.

Skena dhe kostumet janë përgatitur nga Iliriana Loxha Basha, muzika nga Endri Sina, si dhe asistentregjisor është Besmir Bitraku. Vepra teatrore, që sonte është në natën e dytë te “arTurbina”, do të rikthehet sërish në këtë skenë sezonin e ri artistik, i cili do të nisë në vjeshtë, por për të zhvilluar një turne me këtë shfaqje regjisori Altin Basha shprehet se kostot janë të larta.