Çështjet e globalizmit, të kombit e të shtetit në librin e Meidanit

Çështjet e globalizmit, të kombit e të shtetit në librin e Meidanit

Kultura June 14, 2019 - 09:48
Lexo më shumë detaje
Image

Libri “Rendi global dhe shteti-komb” i autorit Rexhep Meidani, njëherësh ish-presidentit të Shqipërisë, u përurua ditën e enjte në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Në mesin e të pranishmëve në fjalën e tij Enver Hoxhaj e vlerësoi Meidanin edhe si profesor edhe si politikan që tashmë ka hartuar e ka shkruar një libër të veçantë jo vetëm për shqiptarët, por sipas tij ky libër ka një diskurs evropian.

“Librat e kanë fatin e tyre, është një thënie e vjetër latine dhe mendoj se fati i këtij libri përcaktohet nga autori i librit. Meidani si profesor e politikan ka hartuar dhe ka shkruar një libër të veçantë jo vetëm për shqiptarët, por ky libër ka një diskurs evropian. Kohën që prezantohet ky libër 20 vjet pas çlirimit të Kosovës bëjnë që ne ta falënderojmë për rolin e tij në shtetformimin e Kosovës dhe në procesin e zhvillimit të saj. Ky libër shkon në një thellësi historike dhe në një gjerësi gjeografike dhe është një nga librat më të mirë që unë kam lexuar ndonjëherë”, tha Hoxhaj.

Beqir Ismajli, drejtori i Akademisë Diplomatike në kuadër të MPJ-së në Kosovë, duke folur për librin që tashmë mbahet në duart e lexuesit tha se libri do të shërbejë si një manual i një bashkëpunimi të politikëbërjes. “Meidani na sjell në librin e tij mendimin e presidentit francez Nikola Sarkozit. Ky është një libër që do të shërbejë si një manual i një bashkëpunimit të politikëbërjes”, theksoi Ismajli.

“Prof. Dr, Rexhep Meidani, në këtë kohë ndryshimesh galopante globale, është i pari në mbi 100 vjet politike të shtetit Shqiptar, që si president i Republikës së Shqipërisë, futi modelin e dorëzimit të pushtetit në mënyrë paqësore, duke u bërë një busull orientimi i politikanëve të së sotmes dhe udhërrëfyes i atyre të së ardhmes. Njëkohësisht në punën e tij si President i Shtetit, ka përcjellë moton se: “ Të qenurit në pushtet, nuk është nje privilegj, por një detyrë, bazë e së cilës, eshte ti sherbesh popullit dhe interesit të lartë të shtetit”, tha ndër tjerash Ismajli.

Akademiku Rexhep Qosja konsideron se vepra e autorit Meidani është një vepër kapitale, pasi në të trajtohen çështjet e globalizmit dhe marrëdhëniet e shtetit-kombit. “‘Rendi global dhe shteti-komb’ është një vepër, e cila mund të quhet kapital. Është kapitale pasi këtu trajtohet çështja e globalizmit dhe marrëdhëniet e shtetit-kombit. Globalizmi po shihet gjithmonë më kritikisht te ne”, tha Qosja.

Rikujtojmë se karriera politike e Meidanit nisi pas viteve ’90-a. Ai ishte kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991-n dhe anëtar i Këshillit Presidencial (1991). Gjatë viteve 1992-1996 u angazhua në shoqërinë civile duke qenë edhe kryetar i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-1996). Më 1996 aderoi në Partinë Socialiste duke u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i saj (1996-1997).

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit 1997 Meidani u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë i drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997 me propozim të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi Meidanin president të Republikës, detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 2002 kur u zëvendësua nga pasardhësi i tij Alfred Moisiu.

Veprat e Meidanit janë: “A është deterministe teoria kuantike”, “Kurthet e shtetit - komb”, “Të vërtetat dhe të fshehtat e entropie”, “Mbi hapësirë - kohën”, “Politika, morali dhe shteti” dhe libri i fundit që u përurua më datë 13 qershor në Prishtinë “Rendi global dhe shteti-komb”.