Mbyllet Panairi i Librit, Kongoli autori i vitit

Mbyllet Panairi i Librit, Kongoli autori i vitit

Kultura qershor 10, 2019 - 13:43
Image

I vlerësuar si njëra nga ngjarjet më të mëdha kulturore në vend, Panairi i Librit mbylli edicionin e 21-të me vizitorë të shumtë e me qindra libra të shitur.

Ky Panair ka rikthyer në Kosovë edhe mjeshtrin e letrave shqipe Fatos Kongolin, i cili u vlerësua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës me çmimin “Autori i Vitit 2019” për romanin “Gënjeshtarë të vegjël”, i botuar nga shtëpia botuese “Toena”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ai ka theksuar se ndihet shumë mirë për vlerësimin që i është bërë dhe se gjithmonë ka borxh ndaj Kosovës. Kongoli ka falënderuar organizatorët që e kanë ftuar në edicionin e sivjetmë, duke theksuar se është hera e parë që vjen në Panairin e Librit në Prishtinë dhe se i ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. “Shoh personalitete shumë të shquara, nuk di ç’të them. Unë i detyrohem këtij vendi, ngase ky vend ka bërë shumë për mua. Nuk mund të rri pa thënë se Kosovës i detyrohem shumë, jam i dashuruar në këtë vend dhe është reciproke. Nuk resht së foluri për marrëdhënien time emocionale shumë të thellë për këtë vend e për njerëzit këtu”, u shpreh shkrimtari i madh Kongoli.

Në një ceremoni në kuadër të aktiviteteve të Panairit Shoqata e Botuesve të Kosovës ka ndarë çmimet tradicionale të panairit të 21-të të librit “Prishtina 2019”.

Juria me përbërje nga Behar Gjoka kryetar, Marigonë Kelmendi anëtare dhe Imer Topanica anëtar, përveç çmimit “Autori Shqiptar i Vitit”, ka ndarë edhe tetë çmime tjera.

Çmimin për veprën më të mirë në letërsinë për fëmijë e mori Anila Kruti për librin “Flutura e majit”, i botuar nga “Toena”. Çmimi “Stenda më e Vizituar” iu dha shtëpisë botuese “Botart”.

Çmimi për përkthimin më të mirë të vitit i shkoi përkthyeses Saverina Pasho për librin “Lehtësia e padurueshme e qenies”, i botuar nga “Dituria”. Ndërsa çmimi për veprën më të mirë nga fusha e publicistikës i takoi Mirela Oktrova për librin “55 ditë”, i botuar nga “Onufri”.

Çmimi për veprën më të mirë në poezi iu nda poetit Ismail Syla për veprën “Sfinksi pyet sërish”, i botuar nga “Buzuku”.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë shkoi për Kim Mehmetin, për veprën “Lutjet e mesnatës”, i botuar nga “Agora”, kurse çmimin për veprën kapitale e mori shtëpia botuese “Meshari” për kompletin e veprimtarisë letrare të Ymer Elshanit.

Ndërkaq me çmimin “Autori i Vitit i Huaj” u nderua shkrimtari Jacques Baudouin, me veprën “Lindja e një demokracie”, e botuar nga “Buzuku”.

Edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit ka sjellë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Numri i titujve të rinj është rrumbullakuar rreth 1500-1700, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit është rreth 5500.

“Lirika dhe tradita letrare” nga Ali Aliu, “Lutjet e mesnatës” nga Kim Mehmeti, “Fillimi i fundit” Majlinda Bregasi, “Dëshmitar në kohë historike” i Rexhep Qosjës dhe shumë vepra të tjera u përuruan për herë të parë në kuadër të Panairit.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, vlerëson se Panairi i Librit është bërë tashmë i njohur për organizimin e duhur dhe numri i vizitorëve çdo vit vjen e shtohet. Ai për këtë ka falënderuar të gjithë librarët, përkthyesit, shkrimtarët, redaktorët, korrektorët dhe lexuesit për përkrahjen e vazhdueshme që ia kanë dhënë librit. “Të mbash gjallë e madje edhe më shumë të krijosh një ngjarje kulturore të rëndësisë së tillë është një fitore e madhe për një vend të vogël si ky yni. Të shohësh pa fund lexues, të cilët vijnë dhe e vizitojnë Panairin përbën kryelajm dhe kënaqësi të jashtëzakonshme për ne. Kjo për të treguar se me gjithë sfidat e panumërta lexuesi është i vetëdijshëm dhe më i pranishëm se kurrë”, tha ai.

Sipas Zenelit, është arritur të realizohet ideja kryesore që ka qenë paraqitja e botimeve të reja si krijues dhe funksioni kryesor që lexuesit t’i shohin botimet e reja dhe të informohen për titujt e rinj sipas tij ka rezultuar si i suksesshëm. “Pritshmëria ka qenë krejt ndryshe, vizitat janë shumë të mëdha. E pabesueshme për interesim kaq të madh, si duket ka ndikuar edhe numri i titujve, shumësia e botuesve dhe ambientet që kanë një formë solemne. Zbritja minimale është 20 për qind, ka dhe raste për më shumë, varet nga biblioteka”, u shpreh ai.

Panairi i Librit ka nisur edicionin e 21-të që nga 5 qershori dhe zyrtarisht është mbyllur ditën e diel, më 9 qershor.

Duke u rezistuar kushteve klimatike, Panairi përfundoi me problematikën kryesore edhe këtë vit, që sipas organizatorëve ishte hapësira e papërshtatshme ku u zhvillua Panairi dhe zvogëlimi i përkrahjes nga MRKS-ja. Zëri