Libri i javës - 'Inteligjenca emocionale' nga Daniel Goleman

Libri i javës - 'Inteligjenca emocionale' nga Daniel Goleman

Kultura June 03, 2019 - 14:17

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Inteligjenca emocionale” nga Daniel Goleman. Në prag të edicionit më të ri të Panarit të Librit në Prishtinë që hapet këtë javë, ne ju sjellim në kujtesë një nga librat më të shitur të Panairit të Librit vitin e kaluar. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” dhe është përkthyer nga Vladimir Banushi.

Në këtë libër Daniel Goleman përpiqet të tregojë se cilët faktorë ndikojnë që njerëzit me IQ të lartë stagnojnë, kurse ata me IQ mesatar habitshëm përparojnë. Ai përpiqet ta dokumentojë se dallimi shumë shpesh gjendet në shkathtësinë, këtu të quajtur inteligjencë emocionale, e cila nënkupton vetëkontrollin, luftimin dhe durimin, por edhe mundësinë e vetëmotivimit.

A na e përcakton koeficienti i inteligjencës fatin? Jo aq sa mund të mendojmë ne. Bestselleri botëror i autorit Daniel Goleman na tërheq vëmendjen se këndvështrimi ynë për inteligjencën njerëzore është shumë i ngushtë. Arsyeja është se ne injorojmë një sërë aftësish që kanë ndikim shumë të madh në ecurinë e jetës sonë. Sot, shumë vite pas botimit të parë të veprës, termi "inteligjencë emocionale" është bërë pjesë e të folurit tonë të përditshëm.

Duke u mbështetur në hulumtime shkencore që sjellin risi në fushën e studimit të funksionit të trurit dhe të sjelljes njerëzore, Goleman na parashtron faktorët të cilët bëjnë që një person me IQ të lartë të mos arrijë ndonjë gjë të madhe në jetë, ndërkohë që një me IQ mesatare t'i kapë majat e suksesit. Këta faktorë në të cilët përfshihet vetënjohja, vetëpërmbajtja dhe empatia, i japin një kuptim tjetër të qenët "i mençur". Edhe pse bazat e saj ndërtohen nga përvojat e fëmijërisë, inteligjenca emocionale mund të ushqehet edhe në moshë të pjekur. Përfitimet që ajo do të na sjellë në shëndet, në marrëdhënie dhe në punë mund të jenë të menjëhershme.

Librin mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku”, në Prishtinë. Zëri