Fatos Kongoli fiton çmimin e madh në Panairin e Librit
Fatos Kongoli, Kim Mehmeti, Adrian Civici, Skënder Bucpapaj e Çun Lajçi kanë triumfuar në edicionin e gjashtë të Panairit Kombëtar të Librit në Fier. Dhjetëra aktivitete në një agjendë maratonë janë kurorëzuar me ceremoninë e dhënies së çmimeve për më të mirët e këtij edicioni.
Nga 132 libra konkurrentë, në gjini të ndryshme, juria e panairit e përbërë nga akademiku Ali Aliu, (kryetar) dhe Flutura Acka e Erenestina Halili (anëtare) arriti t’i përzgjedhë më të mirët.
Kryetari i jurisë ndër të tjera shprehu konsideratën për rritjen e besimit të shkrimtarëve në konkurse të tilla dhe siguroi se përzgjedhja ka qenë e vështirë për vetë faktin se në garë kanë qenë shumë libra, të cilët ishin afër e afër njeri-tjetrit si vlerë artistike e letrare dhe kjo e bën të vështirë përzgjedhjen. “Nga 132 libra të paraqitur nga autorë e botues në këtë edicion, ne mbërritëm të afrohemi te veprat më të mira, derisa erdhën në fazën e fundit të seleksionimit. Unanimisht vendosëm të japim çmim për prozë të gjatë, për prozë të shkurtër, për poezi, për publicistikë dhe për letërsi për fëmijë. Por ajo që unë vura re ishin prurjet cilësore nga shkrimtarët e rinj, për të cilët i propozoj organizatorit që vitin tjetër të japë edhe çmim për debutantin më të mirë”, ka thënë akademiku Aliu.
Çmimi për romanin më të mirë shkoi për shkrimtarin Fatos Kongoli, me motivacion: “Për romanin ‘Gënjeshtarë të vegjël’, i cili, me një origjinalitet të përsosur, sjell kode unike ligjërimi, ngjarje të ndërthurura mjeshtërisht dhe një narracion të rrjedhshëm”, botimet “Toena”.