Libri i javës – “Forca e Faktit”, Hans Rosling

Libri i javës – “Forca e Faktit”, Hans Rosling

Kultura May 13, 2019 - 10:34
Lexo më shumë detaje

 

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim atë që po cilësohet si libri non-fiction i vitit, “Forca e faktit” nga Hans Rosling. Librin autori e ka shkruar në bashkëpunim me Ola dhe Anna Rosling. “Forca e faktit” është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” edhe është përkthyer nga Vladimir Banushi.

Ky libër rendit dhjetë arsye pse perceptimi ynë për botën është i gabuar dhe se gjendja është më e mire nga sa duket. Sado të thjeshta që të jenë pyetjet mbi zhvillimet kryesore në botë, si për shembull ato që kanë të bëjnë me përqindjen e njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme, me arsyet e rritjes së popullsisë së botës apo me numrin e femrave që përfundojnë shkollën fillore, përgjigjet e dhëna janë vazhdimisht të gabuara. Përgjigje nga gazetarë të famshëm, fitues të çmimeve “Nobel” dhe bankierë të suksesshëm, nuk arrijnë as në nivelin e përgjigjeve të zgjedhura kuturu nga një majmun për nga saktësia.

Në librin “Forca e Faktit” profesori i Shëndetësisë Botërore dhe ligjëruesi me famë ndërkombëtare, Hans Rosling, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij besnikë, Anna dhe Ola, na jep një shpjegim të padëgjuar, rrënjësisht të ndryshëm nga të tjerët, të arsyeve pse kjo ndodh. Ai na zbulon dhjetë instinktet që na çojnë drejt përfundimeve të gabuara.

E vërteta është se gjendja e botës, pavarësisht mangësive të shumta, është shumë më e mirë nga sa mund të mendojmë ne. E keqja është se duke u shqetësuar vazhdimisht për çdo vogëlsi, nuk u kushtojmë vëmendje fakteve mbi botën dhe anashkalojmë ato dukuri që me të vërtetë përbëjnë rrezik.

Sa frymëzues, aq edhe syçelës, plot e përplot me ndodhi gazmore dhe përjetime prekëse, “Forca e faktit” është një libër që duhet lexuar një orë e më parë, i cili do t`jua ndryshojë rrënjësisht këndvështrimin për botë.

Figura si Barack Obama, Bill Gates, Melinda Gates e Tim Ford kanë folur në superlativ për këtë libër. Sipas Obamës, ky libër na ngjall shpresën në zotësinë e njerëzimit për të ecur përpara. “Duke na hapur sytë para fakteve dhe duke na mbrojtur nga shumë paragjykime të trashëguara, ky libër na ngjall shpresën në zotësinë e njerëzimit për të ecur përpara”, ka thënë ish-presidenti i Amerikës.

Kurse sipas Bill Gates, ky libër është një përmbledhje e pazëvendësueshme udhëzimesh që na ndihmojnë ta kuptojmë botën qartë dhe kthjellët.

Librin mund ta blini në pikat e librarisë “Buzuku” Prishtinë për 12 euro.