![Kërkohet që emri i Hivzi Sylejmanit t’i hiqet bibliotekës](/uploads/zeri.info/images/2019/May/11/auto_1-Bibloteka_Hivzi_Sulejmani-23_gusht_2016gj-Laura_Hasani1557555367.jpg)
Kërkohet që emri i Hivzi Sylejmanit t’i hiqet bibliotekës
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2019/May/07/auto_Dionesa_Ebibi1557214235.png)
Kur vdiq në vitin 1975 në Spitalin e Prishtinës, shkrimtari i njohur Hivzi Sylejmani shtëpinë e tij në periferi të kryeqytetit, rrugës që të çon në parkun Gërmia, ia fali shoqërisë. Që atëherë shtëpia e tij u kthye në bibliotekë dhe mori emrin “Hivzi Sylejmani”. Me emrin “Hivzi Sylejmani” u pagëzuan edhe degët e tjera të bibliotekës së qytetit të Prishtinës. Në ish-shtëpinë e Sylejmanit edhe 44 vjet pas vazhdon të funksionojë biblioteka për fëmijë.
Para se ta mbante emrin e Sylejmanit biblioteka e qytetit mbante emrin “Miladin Popoviq”. Tani pas shumë viteve Rifat Deri, asamblist në Komunën e Prishtinës nga partia “Alternativa”, ka nisur një iniciativë për ta hequr emrin e Sylejmanit nga bibliotekat e qytetit. Këtë kërkesë ai i ka thënë gazetës “Zëri” se do ta dërgojë në Kuvendin Komunal për të kërkuar zhurmshëm ndërrimin e emrit, shkruan Gazeta "zëri".
Kjo iniciativë sipas tij burimin e ka te qytetarët e Prishtinës, që i kanë kërkuar drejtimin e kërkesës për në Kuvend Komunal. Ai thotë se këtë kërkesë e ka pranuar me shumë vullnet që kjo bibliotekë të mos e mbajë emrin e, siç shprehet ai, një prokurori, gjykatësi që i ka dënuar qytetarët e Prishtinës me pushkatim në kohën pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ky ka dënuar njerëz me pushkatim vetëm e vetëm që nuk i kanë përkrahur, nuk kanë qenë pro idesë së komunizmit të asaj kohe. Unë e di që ky është problem i madh, ngase Kosova nuk e ka bërë ligjin e legjislacionit që të mundë të ndahet periudha komuniste prej periudhës demokratike. Kështu që duhet të dënohen krimet e ish-sistemit, i cili është bërë ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Deri për gazetën “Zëri”.
Sipas Derit, nuk mund të mos përkrahet një ide e tillë, sepse nuk mund t’u shpjegohet gjeneratave të reja se pse kjo bibliotekë e mban emrin e Hivzi Sylejmanit.
“Sipas Hakif Bajramit e Muhamet Pirakut thuhet se flitet për një shifër 3745 persona të pushkatuar dhe nëse ti ke qenë pjesë e asaj nomenklature që ka pushkatuar kaq shumë njerëz, unë nuk e di pse duhet me mbajt emrin e tij. Ne e kemi qitur si iniciativë edhe nga kërkesat e familjeve të të pushkatuarve. Është një problem se njerëzit në përgjithësi nuk e dinë shumica se çka është bërë në atë kohë, kjo tërë kohën është mbuluar. I ke diku 298 emra sipas UDB-së që janë pushkatuar, ata kanë shkuar me sistemin e minimizimit të numrave”, thotë Deri.
I pyetur pse është pritur kaq shumë vjet për një reagim të tillë, Rifat Deri thotë se në kohën e komunizmit njerëzit kanë hezituar dhe kanë pasur frikë ta hapin këtë temë, sepse sipas tij kjo është temë e ndejshme. Deri nuk i bëri të njohur emrat e familjeve që kanë kërkuar të jenë pjesë e kësaj iniciative me arsyetimin se nuk ka marrë të drejtë nga ta.
“Nëse këta kuvendarë mendojnë që një njeri i cili ka pushkatuar duhet ta ketë emrin në një institucion të rëndësishëm qysh është biblioteka, atëherë le të veprojnë si ua do mendja. Gabimet mund të bëhen gjatë rrugës, por duhet përmirësuar. Unë e di që nuk e kam gabim. Njeriu i sistemit të njëjtë ka mbetur, nuk ka ndryshuar asgjë. Nëse ne ia kemi parë sherrin atij sistemi duhet ndryshuar gjurmët”, tha Deri, i cili nuk ka ndonjë propozim për ndonjë emër tjetër që duhet të mbajë biblioteka.
Për personalitetin e Hivzi Sylejmanit, por dhe për veprën e tij ndër vite kanë shkruar shumë njohës të tij e të letërsisë. Në njërin nga shkrimet e veta profesori universitar dhe shkrimtari Agim Vinca shkruan se shumë studiues e kanë quajtur Sylejmanin shëmbëlltyrë morale, shkruan Gazeta "Zëri".
“Të gjithë studiuesit që kanë shkruar për Hivzi Sulejmanin (R. Qosja, H. Mekuli, M. Raifi, B. Krasniqi, S. Hamiti etj.) e kanë quajtur atë ‘shëmbëlltyrë morale’, duke u nisur nga qëndrimi i tij në jetë dhe sidomos nga vepra e tij letrare e cilësuar si përmendore e moralit njerëzor. Nuk do t’ia falnin as njërën, as tjetrën ata që në vitet e ’80-ta kërkonin heqjen e emrit të tij nga institucionet e Kosovës – emisarët e politikës serbomadhe, ashtu siç kërkojnë sot, tek-tuk, për arsye të tjera, por me logjikë pak a shumë të njëjtë, përjashtuese, edhe individë nga radhët e shqiptarëve”, shkruan Vinca.
Vinca përmend faktin se Hivziu ushtroi detyra shtetërore me rëndësi, çfarë ishte ajo e kryetarit të Gjyqit të Qarkut në Prizren (më vonë edhe e prokurorit krahinor), që e solli në pozitë të nënshkruante edhe dënime me vdekje të njerëzve që konsideroheshin “armiq të popullit” në një kohë kur Kosova gjendej nën administrim ushtarak, por sipas tij veprimet e tij, gabimet dhe lëshimet, sikundër edhe vlerat dhe meritat, duhet parë në kontekstin e kohës dhe nuk duhen gjykuar me kriteret e sotme.
“Është ai dokumenti fatkeq i aktgjykimit të krerëve të LNDSH-së i vitit 1945, i nënshkruar nga ai në cilësinë e kryetarit të Gjykatës, për të cilin opinioni ynë, me ndonjë përjashtim, nuk e ka ditur më parë, por është njoftuar kryesisht në kohë të fundit, herë-herë edhe përmes interpretimesh keqdashëse nga njerëz që aktet e këtilla dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për ‘kapital politik’, si dhe për ‘ndreqjen’ e biografive të veta problematike. Nuk do mend se ky veprim, i kryer në moshë relativisht të re dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira, nuk i bën nder aspak atij. Përkundrazi. Por Hivziu ‘e lau’ si të thuash gabimin e vet të hershëm (të pafalshëm) me qëndrimin e tij intransigjent ndaj hegjemonizmit serb gjatë gjithë jetës së tij të mëvonshme dhe sidomos me veprën e tij letrare kryekreje kritike ndaj burokracisë politike dhe oligarkisë pushtetore të kohës, e cila bëri shpërdorime të mëdha në emër të socializmit, ashtu siç bëhen edhe sot po aq, në mos edhe më shumë, në emër të demokracisë”, thekson ai.
Sipas poetes Naime Beqiraj, heqja e emrit të Hivzi Sylejmanit nga bibliotekat e Prishtinës nuk mund të bëhet lehtë. Beqiraj thekson për gazetën “Zëri” faktin e ditur se Sylejmani pas vdekjes e la të përdorej si objekt biblioteke shtëpinë e tij. Sipas saj, nëse emri i ndërrohet bibliotekës, atëherë ndoshta edhe nevojitet të hiqet dorë nga ndërtesa.
“Veprën e Hivzi Sylejmanit e kam lexuar herët si lekturë të domosdoshme shkollore dhe nga kjo periudhë e gjatë kohore nuk është që kam mendim fort të qartë për krijimtarinë e tij. Pra nuk e kam lexuar tash e 30 vjet, përveç librit monografik të akademik Sabri Hamitit për këtë autor. As arsyetimin e asamblistit nuk e kam lexuar. E di që Hivzi Sylejmani ia ka dhënë Prishtinës shtëpinë e tij për ta kthyer në bibliotekë. Si mund t’i ndërrohet emri pra?! Atëherë nevojitet që të hiqet dorë edhe nga ndërtesa. Ndërkaq mendoj se emrat e figurave publike duhet të rishqyrtohen në pikëpamje të figurës kombëtare, morale e krijuese. Ka shumëçka për t’u diskutuar. Gjithsesi në këto vendime fjalën e fundit duhet ta japin komisionet e përbëra nga profesionistët e jo vendimet të merren ad hoc”, përfundon kështu Beqiraj./ZËRI