Arti i Shuk Oranit në 'TriBeCa' të Nju Jorkut

Arti i Shuk Oranit në 'TriBeCa' të Nju Jorkut

Kultura April 04, 2019 - 09:52

Vetëm pak kohë më parë “Wall Street Journal” shkruante për një skenë të re të artit bashkëkohor në Lower Manhattan. Nëse para 40 vjetëve SoHo ishte “Hot Spot”-i i ri artistik, tash po paraqiten gjithnjë më shumë iniciativa të tilla në “TriBeCa”.

Kështu për fillimin e kohës verore atje po hapet ekspozita “Equinox”, në “7 Franklin Place”, e kuruar nga Shane Townley, Cathy Condon dhe Alekjandro Don nga “New York Art Foundation”. Në këtë ekspozitë prezantohen vepra të zgjedhura të artistëve multimedialë, në mesin e të cilëve dhe Shuk Orani, Evan Sebastian Lagache, Alou Dia, Kevin Champeny, Patti Samper dhe Katerina Ganchak.

Këta artistë në pozicionet e tyre eksperimentojnë me koncepte dhe tema që lidhen me rilindjen dhe ripërtëritjen, duke drejtuar me këtë rast vëmendjen nga potenciali i artit, që t’u shërbejë njerëzve në ciklet e tyre të ndryshme jetësore, si burim relaksues dhe rigjenerues. Ekspozita do të hapet për vizita nga 4 deri më 29 prill 2019, nga e hëna deri të dielën, nga ora 12:00 deri në orën 17:00.

Artisti nga Kosova Shuk Orani jeton që prej vitit 1995 si një artist i pavarur në Gjermani (Hamburg). Në punën e tij ai fokusohet në kompleksitetin e qenies njerëzore dhe progresin njerëzor, që është thelbësor për artin të cilin ai krijon. Përmes stilit abstrakt dhe neoekspresionist pikturat e tij janë të gjalla, impulsive, dinamike dhe të përcjellin një përshtypje unike. Gjatë vrojtimit nga afër të pikturave të tij bëhet e qartë se çdo pikturë e Shuk Oranit nga brendia e saj të propozon një strukturë imagjinare. Përveç pikturës, artistit shprehet edhe në mediet e tjera si fotografi, art digjital dhe skulpturë. Një përzgjedhje e gjerë e veprave të tij mund të shihet në ekspozita anembanë botës. Prej ekspozitave në vendlindjen e tij në Prishtinë deri te ekspozitat në institucionet prestigjioze, të tilla si Muzeu i Artit Bashkëkohor në Pekin e deri në Muzeun e Luvrit në Paris. Veprat e tij janë të përfaqësuara gjithashtu në koleksione private dhe publike në mbarë botën.

Në veprat e tij me format të madh midis të tjerash zbulon ngjyrën blu të pasur, që është shpeshherë e mbuluar nga ngjyra e bardhë. Në pikturat e tij ngjyrat e ndryshme janë të ndërthurura dhe të mbivendosura, që të arrijnë dhe të ofrojnë për vështruesin një strukturë krejtësisht të re imagjinare. Abstraksioni dhe ngjyrat e lira i kthejnë pikturat në koncepte vizuale, që përçojnë të pakapërcyeshmen dhe të pafundmen, duke ua dhuruar pikturave një karakter të shenjtë. Por edhe pa këtë sfond tejet të pasur kompozimet e mëdha të magjepsin me ndjeshmërinë e tyre.