Shënohet Dita Botërore e Librit për Fëmijë dhe të Rinj

Shënohet Dita Botërore e Librit për Fëmijë dhe të Rinj

Kultura April 03, 2019 - 10:14
Lexo më shumë detaje

 

Në Kosovë u shënua 2 Prilli, Dita Botërore e Librit për Fëmijët dhe të Rinj, me një numër aktivitetesh. Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe organizata ETEA janë bërë bashkë për t’i shënuar ngjarjet kulturore botërore që i dedikohen librit dhe kulturës së leximit. “Kësaj radhe me përkrahjen e Komunës së Prishtinës u organizua manifestimi qendror me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë dhe të Rinj. Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë e të Rinj për herë të parë është organizuar në vitin 1966 nga Jella Lepman, themeluese e IBBY (Bordi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë e të Rinj), kjo e fundit organizatë joqeveritare, e cila përfshin një rrjet të njerëzve nga gjithë bota që punojnë dhe përpiqen të bashkojnë librin me lexuesit”, thanë përfaqësues të organizatës ETEA.

Po ashtu kjo organizatë njofton se ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” kanë filluar punën për anëtarësimin e Kosovës në Bordin Ndërkombëtar të Librit për Fëmijë dhe të Rinj (IBBY). “IBBY ka për qëllim t’ua japë mundësinë fëmijëve nga mbarë bota për qasje në libra me vlera të larta artistike, të inkurajojë botimet dhe shpërndarjen e librave kualitativë për fëmijë dhe të mbështesë ata të cilët punojnë me fëmijët dhe literaturën për fëmijë. Në kuadër të kësaj organizate çdo vit një shtet e fiton të drejtën për shkrimin e mesazhit për librin dhe ilustrimin e posterit, të cilat më 2 prill, në ditëlindjen e shkrimtarit Hans Kristian Andersen, lexohen në gjithë botën. Këtë vit sponsor i mesazhit dhe posterit është Lituania. Mesazhin dhe posterin me temën “Librat na qetësojnë” e ka bërë shkrimtari dhe ilustratori Kestutis Kasparaviçius. I njëjti në gjuhën shqipe është përkthyer nga Selda Safqiu”, treguan ata.