Drerët e Hanës që simbolizojnë paqen

Drerët e Hanës që simbolizojnë paqen

Kultura March 13, 2019 - 09:42
Lexo më shumë detaje
Image

E veshur në të gjelbër dhe me shall kafe Hana Potera që në hyrje të kafe-galerisë “Hani i 2 Robertëve”, priste miqtë dhe dashamirët e artit të saj të hënën mbrëma në hyrje të ekspozitës së saj personale të kuruar nga Eliza Hoxha, që e ka emëruar “Përballje mes dy realiteteve”.

Për gazetën “Zëri” Potera ka treguar hap pas hapi se si ka arritur ta finalizojë artin që ajo prezanton. “Me profesion jam arkitekte. E kam parë që është e vështirë e sidomos për femrat që ta gjejnë veten në këtë drejtim ose në këtë profesion. Unë edhe pse për nga karakteri jam person me ngjyra, shumë i fortë, tani po i ekspozohem realitetit që e jetojmë sot”, rrëfen Potera, e cila shton se në ekspozitë mund të shohin një karakter kryesor që është dreri, i cili është paraqitur si një simbol që e personalizon edhe jetën e artistes. “Dreri nëpër shumë mite njihet si kafshë për butësinë e saj, sipas atyre që kam lexuar, edhe pse është kafshë shumë e butë, lehtë i manifeston problemet, të njëjtin ngjyrim ia kam dhënë edhe unë. Për këtë arsye si simbol nuk e kam marrë një luan, një kafshë të fortë, por një drerë siç jam dhe unë vetë”, u shpreh ajo.

Ajo e ka vlerësuar si një ndihmë të madhe bashkëpunimin me Eliza Hoxhën, sepse Hoxha i përkrah shumë të rinjtë. “Unë jam edhe studente e saj. Ka qenë një mbështetje shumë e madhe, ka pasur kohëra kur unë kam vënë në theks pyetjet, se çka jam duke bërë, pse jam duke e bërë dhe Eliza ua ka kthyer përgjigjen të gjitha dilemave të mia”, vlerësoi artistja.

 Sipas Poterës, kjo ekspozitë ia ka ndërruar perceptimet që ka pasur për Prishtinën. Për faktin që prejse ka filluar ta përgatisë ekspozitën ka pasur një mbështetje të madhe prej shoqërisë, prej medieve dhe i është nevojitur vetëm vullneti.

Në anën tjetër kuratorja Eliza Hoxha para të pranishmëve tha se pikturat e Poteres ia kanë kujtuar punën e Franz Marcut. “Kur Hana më ftoi për t’ia kuruar ekspozitën e saj kishte një moment magjik midis nesh kur kuptuam se muza e të dyjave ishte dreri. Duke i parë më pas pikturat e saj mu kujtua piktura ‘Dreri në pyll’ e Franz Marcut, i cili drerin dhe heroizmin e tij e kishte shkrirë në peizazhin shumëngjyrësh ose si e komenton ai si një atmosferë rastësie e kaosi njëkohësisht”, para të pranishmëve filloi fjalën e saj Hoxha, e cila tutja thotë se Hana e zhvendos drerin e saj nga habitati i tij i natyrshëm në një mjedis abstrakt e anonim duke e sjellë atë në pah vetëm përmes brirëve si një element i ringjalljes permanente. Por figurativisht edhe si atmosferë ballafaqimi e përballjeje midis dy botëve, një cikël ky i përsëritshëm vazhdimisht. “Kjo kurorë brirësh dreri që e gjejmë te secila punë e Hanës na rrëfen për superioritetin shpirtëror që dreri simbolizon në shumë kultura e që shumë artistë kanë për bazë e udhërrëfyes në jetë anën shpirtërore. Hana nuk e sjell në pah butësinë dhe brishtësinë e drerit në këto punë”, vlerëson Hoxha, ku thotë se duket si diçka që ajo mundohet ta ruajë nga bota e vrazhdësive dhe e padrejtësive ku për të ecur në jetë do të duhej çdoherë një palë brirë për të çarë, për t’u dëshmuar, për të mbijetuar, për të dalë i fituar.

Sa i përket konceptit të ekspozitës mësohet se përmes manifestimit të përballjes ndërmjet dy realiteteve shtjellon në themel idenë e veprave në formë të drerit, të paraqitura nga Hana Potera.

Sikurse dihet dreri si simbol i paqes është elementi kryesor i këtyre pikturave, ku artistja ka sjellë karakterin e saj shpirtëror përmes shëmbëlltyrës së drerit me porosinë se momentet më emocionale mund dhe duhet të tejkalohen me dashuri, me butësi dhe me forcë të palëkundur në jetë. Siç dhe shkruhet në vlerësim, ekspozita përmes paraqitjes së drerit si kafshë emblematike përfaqëson nga aspekti figurativ energjinë pozitive, dashurinë dhe harmoninë në mes të komunitetit. Rrjedhimisht, thelbi i kësaj ekspozite i përcjellë nga këto piktura gjendet te brinjët e drerit, të cilët mund të ripërtërihen dhe që në mënyrë metaforike mëshirohen si simbol i rigjenerimit të jetës.

 

Hana Potera, autorja e ekspozitës, na njofton se interesimet e saj për artin dhe veçanërisht për pikturën janë të hershme që nga koha kur ishte në shkollën fillore, e cila ndikoi në zhvillimin e imagjinatës dhe tç kreativitetit artistik përmes përzierjes së ngjyrave në botën e vizatimit. Shkollimi i mesëm i ndihmoi në formësimin e thellësisë së imagjinatës përmes kombinimit të botës fizike me artin. Siç edhe vlerëson, nuk kishte zgjedhje më natyrale për vazhdimin e studimeve universitare sesa t’i regjistronte studimet në drejtimin e arkitekturës, duke e konceptuar këtë si gërshetim ndërmjet pasionit për artin dhe forcimit të personalitetit të saj për avancim akademik. Krahas studimeve universitare, Hana në të njëjtën kohë ka marrë pjesë në shumë trajnime e punëtori brenda dhe jashtë vendit që i ka shërbyer si një platformë për rrjetëzim me komunitetin artistik dhe të arkitektëve të Kosovës dhe të rajonit.

Ekspozita “Përballja mes dy realiteteve” e Hana Poterës do të qëndrojë e hapur për dy javë në “Hanin e 2 Robertëve”, kafe-galerinë që i ka rezistuar kohërave, mbijetesës kulturore, politike në vitet ’90-ta, duke krijuar mundësia të reja diskutimi për gjeneratat e reja për artin dhe për kulturën në Kosovë.

Image