Tirana mirëpret Arjeta Miftarin

Tirana mirëpret Arjeta Miftarin

Kultura shkurt 14, 2019 - 16:59
Lexo më shumë detaje

 

Në ambientet e Muzeut Historik të Tiranës do të hapet ekspozita personale e skulptores nga Kosova Arjeta Miftari.   

Ekspozita e cila është emëruar “Rrugëtim”, ka filluar rrugën e saj me Prishtinën, për të vazhduar tutje në Berlin dhe së fundi në Francë, ku artistja ka arritur suksesin kulminant.

Për gazetën “Zëri”, ajo ka thënë se e ka ndjerë obligim moral e kombëtar që pas suksesit me promovimin e punës të saj jashtë vendit, t’i kthehet kryeqytetit të shqiptarëve Tiranës, me ekspozitën e saj të fundit. Ekspozitë kjo që pos “Hyjneshave”, do të risjell edhe elemente të reja, për të cilat artistja thotë se do të mbesin për tu parë në ekspozitë.

Skulptorja Miftari thotë se është e veçantë që të prezantosh vlerat e pasura të trashëgimisë kulturore të Kosovës, nëpërmjet artit të skulpturës. Dhe akoma më emocionale sipas saj është kur pas një suksesi rikthehesh në vendin që është burim i frymëzimit, në një vend si Tirana që ka vlerësuar punën e saj.

“Obligimin që kam ndaj vendit tim për të kontribuar në promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore do ta vazhdoj pa u lodhur dhe me vullnetin maksimal”, ka vlerësuar Miftari.

Miftari ka realizuar buste, shtatore të ndryshme dhe ka marrë pjesë në shumë ngjarje kulturore, duke përfshirë ekspozita dhe realizimin e plotë të veprave.

Për Arjetën ky vit ka shënuar një sukses të veçantë kur para disa javëve i është ndarë çmimi “Poleart Pegasi” për vitin 2018, i cili iu dorëzua artistes në kryeqytetin e Shqipërisë, në Festaniaden e Titujve Pegasianë.

 

Ekspozita “Rrugëtim” do të hapet pranë ambienteve të Muzeut Historik Kombëtar në datë 20 shkurt të këtij viti në orën gjashtë të mbrëmjes. D.E