Libri i javës – 'Kur sunduesit grinden' nga Ismail Kadare
Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Kur sunduesit grinden” nga shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.
I botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, libri më i ri i Kadaresë që flet rreth misterit të telefonimit Stalin – Pasternak u promovua në Panairin e Librit në Tiranë para disa ditësh.
Në këtë libër bëhet fjalë për një bashkëbisedim telefonik, i cili, ndonëse ka ndodhur gati një shekull më parë, vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërthënëse. Në një vështrim të parë krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku. Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim zë vendin kryesor në të. Është fati i tij i hidhur, në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur që vuajtën nën komunizëm bolshevik. E vërteta e tyre tragjike, në vend të harresës, pret ringjalljen e saj.
Në librin e tij “Kur sunduesit grinden”, e nisur nga një telefonatë historike mes Stalinit dhe Pastërnakut, Kadare flet gjerësisht për raportin mes shkrimtarit dhe sunduesit. Kur Stalini e kishte pyetur përmes telefonit shkrimtarin e poetin e madh Boris Pastërnak se çfarë mendonte për Mandelshtamin e arrestuar, ai ishte përgjigjur “Ne jemi ndryshe, shoku Stalin”. Kjo përgjigje duket se e ka preokupuar edhe shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare. Qysh në fillim të librit Kadare na sjell një bisedë telefonike të shkurtër mes tij dhe Enver Hoxhës kur ky i fundit e telefonon ta urojë për një shkrim, kurse Kadare thjesht e falënderon. Në kokën e tij sillet ideja se a do të mundë të kishte një version tjetër të kësaj bisede. Si për shembull: “Shoku Enver do të flasë me ju… Ç’mendoni për Mandelshtamin… Domethënë për Lagush Poradecin, ose për Paskon ose Markon që.. burg… domethënë që ndonëse sapo kishin dalë nga burgu… mund të ktheheshin prapë atje.. Ose më thjesht, për Agollin, Qiriazin, Arapin… që… burg… domethënë që ndonëse ende burg s’kishin bërë. Që t’i biem shkurt, ç’mendon për veten tënde”, shkruan Kadare.
Në fund të këtij libri botuesi paralajmëron se i pakënaqur me fundin e librit Kadare ka kërkuar të plotësohet dhe të botohet sërish në të ardhmen. Librin “Kur sunduesit grinden” mund ta blini në librarinë “Buzuku” për 8 euro. Zëri