'Koncerti' i Rolling Stones që tronditi Murin e Berlinit

'Koncerti' i Rolling Stones që tronditi Murin e Berlinit

Kultura nëntor 17, 2018 - 09:05
Lexo tjera detaje

Në ditën kur Rolling Stones kanë lajmëruar koncertin e  tyre në Kubë Berlini kujton një copëz historie. Në fundin e verës së vitit 1969, në prag të festimeve pompoze mbi 20-vjetorin e Gjermanisë Lindore që do të mbaheshin më 7 tetor, njerëzit e Ulbrichtit po përgatiten për marshimet e zakonshme ushtarake, si dhe fjalimet triumfante dhe gënjeshtare.

Por një zë përhapet me shpejtësinë e dritës mes të rinjve të Berlinit Lindor. Ditën e përvjetorit Rolling Stonez do të zhvillonin një koncert pranë Murit, në anën perëndimore, por në çatinë e ndërtesës së Axel Spinger – botuesi i “Bild”. Këngët e grupit më të famshëm rok në botë do të dëgjohen disa kilometra përtej Murit, atje ku muzika popperëndimore është e ndaluar, disqet e Rolling Stones dhe “Beatles” futen kontrabandë dhe ku të lësh flokë të gjatë dhe të dëgjosh rok është një shenjë mosbindjeje. Fatkeqësisht, ndërkohë që thashethemet përhapen edhe jashtë kryeqytetit dhe shumë të rinj e të reja përgatisin çantat e shpinës për të shkuar në Berlin, lajmi i rremë mbërrin edhe tek agjentët e njërit prej shërbimeve të fshehta më paranojake të Paktit të Varshavës, Stasit. Një muaj më herët një i ri nga Dessau shkruante në trotuar: ‘Fansa të Rolling Stones, vraponi drejt Ber…”. Por nuk arriti ta përfundonte frazën. Disa kalimtarë e trembën, ai largohet me shpejtësi, por një spiun e ka regjistruar lajmin dhe ia përcjell shërbimit. Dy javë më vonë në lagjen berlineze të Prenzlauer Berg dalin fletëpalosjet e para: “Rolling Stones do të vijnë në Berlinin Perëndimor”. Janë vetëm zëra, por shërbimi i fshehtë i merr seriozisht.

Më 7 tetor aparati histerik i sigurisë shtrëngon më shumë: 238 të rinj ndalohen në stacionin e Berlinit dhe kthehen mbrapsht në shtëpi, ndërsa forcohen shumë kontrollet përreth zonës së supozuar të koncertit. E megjithatë, shumë të rinj arrijnë gjithsesi në Leipziger Strasse, disa dhjetëra metra larg nga qiellgërvishtësi Springer. Disa arrestohen aty, por duke nisur nga ora dy e pasdites pranë murit nisin të shfaqen qindra të rinj. Duken të pandalshëm, janë të lumtur, u kanë shpëtuar gjithë kontrolleve. Janë pacifistë, kanë ardhur deri aty për të dëgjuar Rolling Stones, por pengesat dhe dhuna e regjimit dalëngadalë i ashpërsojnë. Voposët, policët e kufirit nisin t’i sulmojnë brutalisht, ua ndërsejnë qentë. Turma sprapset, por nuk heq dorë.

Fansat nisin të thërrasin “Rolling Stones”, “Dubcek, Dubcek”, emrin e reformatorit çekosllovak, një simbol i lirisë. Policia i hipën në kamionë, vazhdon t’i rrahë. Në fund 430 do të arrestohen, disa do të mbeten në burg për vite. Por ndërkohë revolta poshtë Murit prish festën e 20-vjetorit të RDGJ-së. Ndërsa bota nuk do ta harrojë asnjëherë koncertin imagjinar të Rolling Stones.