'Libër i vjetër, libër i ri' mbledh dashamirët e leximit

'Libër i vjetër, libër i ri' mbledh dashamirët e leximit

Kultura nëntor 15, 2018 - 10:24

Dionesa Ebibi

Grupi joformal “Maniakë t’leximit” organizon këtë fundjavë aktivitetin “Libër i vjetër, libër i ri”. Ky aktivitet, i cili po organizohet me qëllim që të gjithë libradashësit të kenë mundësinë e shkëmbimit të librave në mes vete, do të mbahet në Kolegjin Evropian në Prishtinë, të shtunën e ardhshme, në orën 11:00, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shkurta Januzi, njëra nga organizatoret e kësaj ngjarjeje, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se ky aktivitet po organizohet me përkrahjen e Kolegjit Evropian në Prishtinë, i cili ia ka ofruar falas hapësirën për shfrytëzim dhe librarisë “Dukagjini” ia ka dhuruar pesë kuponë me vlerë prej 10 eurosh për pjesëmarrësit.  Januzi bëri të ditur se deri më tani ka rreth 100 libra që janë prezantuar te organizatorët për shkëmbim.

“Deri më tash rreth 100 libra janë prezantuar për shkëmbim te organizatorët. Titujt janë nga autorë si: Orhan Pamuk, Paulo Coelho, Elif Shafak, Jusuf Buxhovi dhe disa të tjerë”, ka treguar Januzi. Organizatorët janë optimistë se ky aktivitet do të mbledhë numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve. Ata kanë njoftuar se pos shkëmbimit të librave pjesëmarrësit po ashtu do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e lojës shpërblyese përmes së cilës pesë persona do të fitojnë kuponë në vlerë prej 10 eurosh, të dhuruar nga libraria “Dukagjini” dhe dymbëdhjetë persona do të fitojnë nga dy libra secili nga fond i librave të “Maniakëve t’leximit”.

“Qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është t’u japim mundësinë anëtarëve të grupit tonë që librat të cilët i posedojnë e tashmë i kanë të lexuar t’i shkëmbejnë me njëri-tjetrin”, ka treguar Januzi.

Me këtë aktivitet organizatorët duan t’u ofrojnë shansin edhe atyre që nuk kanë mundësi t’i blejnë librat e caktuar e t’i marrin ata duke i shkëmbyer me të tjerë. “Duke pasur parasysh standardin e jetës në Kosovë, është e vështirë që sidomos të rinjtë të blejnë të gjithë librat të cilët duan t’i lexojnë. Ne dëshirojmë t’ia ofrojmë lexuesit mundësinë për të lexuar më tepër se një herë”,  është shprehur organizatorja.

Në kuadër të këtij aktiviteti këtë fundjavë dashamirët e librit do të kenë mundësi të takohen me njëri-terin, të shkëmbejnë sugjerime në mes vete rreth librave dhe pse jo, të formojnë një rrjet të lexuesve shqiptarë. Zëri