'Akropoli i Ri' shënon Ditën Ndërkombëtare të Filozofisë

'Akropoli i Ri' shënon Ditën Ndërkombëtare të Filozofisë

Kultura nëntor 14, 2018 - 10:08

Dionesa Ebibi

Qendra filozofike dhe kulturore “Akropoli i Ri” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Filozofisë ka organizuar të martën, më 13 nëntor, mbrëmje mbi filozofinë klasike, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me moton “A ta don me filozofu?” ngjarja u mbajt në ambientet e qendrës “Akropoli i Ri” në Prishtinë. Anjeza Sinoimeri, drejtoreshë e “Akropolit të Ri” në Prishtinë, ka treguar për gazetën “Zëri” se qëllimi i kësaj mbrëmjeje është risjellja e teorive filozofike në jetën praktike.

“Qëllimi i kësaj mbrëmjeje është risjellja e teorive filozofike në jetën praktike, jo veç teorike. Rezultati praktik qëndron në teoritë që shpjegohen, të cilat mund të bëhen të prekshme te njerëzit e kohës së sotme”, është shprehur Sinoimeri.

Sipas saj, me këtë aktivitet do të arrihet që njerëzit të mundë të dalin me konkluzione mbi aplikimin e filozofisë te jeta e tyre. “Evenimenti do ta ketë pjesën ku do të bëhen prezantime të ndryshme mbi filozofët klasikë. Prezantimet do të mbështeten në disa qytetërime si ai grek, romak dhe kinez. Po ashtu do të flitet për filozofët e tyre kryesorë”, tregoi ajo.

Siç edhe tha Sinoimeri, gjithçka në këtë ngjarje rrodhi natyrshëm, ku pas prezantimeve që u bënë nga studentët e “Akropolit”, të cilët kanë studiuar këto fusha përkatëse tri ose katër vjet, u arrit që të rezymohet një koncept, i cili është folur gjatë gjithë kohës nga audienca.

Pas prezantimeve u dha edhe një shfaqje teatrale për apologjinë e Sokratit dhe në fund u zhvillua edhe një bisedë me të gjithë pjesëmarrësit. Aktiviteti kryesor që trajtoi “Akropoli i Ri” ishin kurset e psikologjisë dhe të filozofisë dhe kanë për qëllim ta ndihmojnë njeriun, ta drejtojnë te një njohje rreth botës së vet psikike dhe përmirësimi i vetvetes në rolin e njeriut.

“Mësimet përmendësh që të tjerët kanë thënë t’i aplikojmë ato teori te jeta jonë, përditshmëria jonë, e shekullit 21 janë qëllimi kryesor i kurseve”, është shprehur Sinoimeri për gazetën “Zëri”.

Sinoimeri foli edhe për qëllimin dhe për mënyrën e funksionimit të kësaj organizate. Ajo thotë se “Akropoli i Ri” është OJQ vullnetare, të gjitha aktivitetet janë të sponsorizuara nga vetë Qendra dhe se nuk marrin asnjë përkrahje të jashtme sepse qëllimi i tyre është apolitik dhe jofetar. Sipas Sinoimerit, nuk ekziston asnjë lidhje me asnjë gjë tjetër përveç filozofisë dhe aktiviteteve kulturore që i bëjnë.

Organizata është e përbërë nga 30 anëtarë. Qendra filozofike dhe kulturore “Akropoli i Ri” ka katër vjet që është hapur në Kosovë. Kjo Qendër funksionon edhe në 62 shtete të botës dhe ka 61 vjet ekzistencë e është themeluar së pari në Argjentinë. Zëri