Me peticion kundërshtohet rrënimi i ish-'Gërmisë'
Debati për rrënimin ose konservimin e objektit, që sot e shfrytëzon Administrata Tatimore e Kosovës e dikur ishte ish-qendra tregtare “Gërmia”, po vazhdon. Ky objekt, që është ndërtuar në të njëjtën periudhë me hotelin “Grand” e disa objekte të tjera emblematike të qytetit, planifikohej të adaptohej për një sallë koncertale, të cilën do ta shfrytëzonte komuniteti artistik, megjithatë po diskutohet edhe opsioni i rrënimit të tij dhe ndërtimi i një objekti të ri. Për këtë ide ka reaguar edhe organizata për mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne “DoCoMoMo Kosova”., shkruan sot gazeta "Zëri".
Kjo organizatë ka iniciuar një peticion online, përmes të cilit kërkon që ky objekt të mos demolohet për t’u ndërtuar një i ri. “DoCoMoMo Kosova” zotohet se pasi nënshkrimet të mblidhen peticioni do t’i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës, si dhe kryetarit të saj Shpend Ahmetit. “Ish-qendra tregtare ‘Gërmia’ është njëri nga objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj. Sot ky objekt është në rrezik të demolimit me pretekstin e hapjes së rrugës për ndërtimin e sallës koncertale. Me këtë peticion dëshirojmë ta nxisim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që sa më parë ta mbrojë ligjërisht këtë objekt dhe kështu ta parandaloj demolimin e tij. Peticioni do t’i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës, si dhe kryetarit të saj”, thuhet në tekstin e këtij peticioni.
“DoCoMoMo International” (Documentation and Conservation of Modern Movement / Dokumentimi dhe konservimi i modernizmit) është organizata më e madhe në botë, që merret me mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne.
“DoCoMoMo”, e cila ka mbi 140 anëtarë (degë shtetërore & partnerë institucionalë) anembanë botës, zyrtarisht pranoi Degën e Kosovës në kongresin e saj, që u mbajt në shtator në Lisbonë. Kosova është pranuar në këtë organizatë për mbrojtjen e arkitekturës moderne në tetor të vitit 2016.
Objekti i ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” nuk është në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë thënë se ky objekt ka mbetur jashtë listës së objekteve të cilat i mbron shteti sepse askush nuk e ka propozuar si objekt që duhet të mbrohet.
Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit ishin dakorduar për objektin e ish-“Gërmisë”, pasi që ishte kërkesë e komunitetit artistik që salla të jetë në qendër të qytetit.
Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës, pati bërë të ditur se projekti për funksionalizimin e një salle të tillë do të mbështetet në vlerë prej 15.4 milionë eurosh nga fondet e Bashkimit Evropian.
Që nga paslufta komuniteti artistik i Kosovës pret për një sallë të denjë që do t'i plotësonte kushtet për ngjarje të mëdha kulturore.
Premtimi se Prishtina do të bëhet me një teatër të operës dhe të baletit dhe një sallë universale për koncerte është tashmë i vjetër. Ky projekt ngeci për disa vjet dhe si gjurmë e tij ka mbetur një gropë e madhe në lagjen “Bregu i diellit” në Prishtinë, ku parashikohej të ndërtohej një teatër i operës dhe baletit, të cilit i është zgjedhur edhe emri “Ibrahim Rugova”.
Trupa Kombëtare e Baletit objektin e ndan me stafin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ani pse që nga 2005-a janë dy institucione të ndryshme. Kjo trupë e cilëson si shumë të vjetruar dhe si objekt që nuk po i plotëson kushtet e balerinëve.
Gjendjen më të mirë nuk e ka as Filarmonia e Kosovës, institucioni më i lartë muzikor në vend që këtë vit shënon 18-vjetorin e themelimit pa një sallë që i plotëson kushtet për mbajtjen e koncerteve dhe ushtrimeve.
Deri atëherë ata do të vazhdojnë t’i japin koncertet e tyre në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, e cila përveçse nuk i plotëson kushtet, nuk ka as kapacitet të mjaftueshëm për ta zënë publikun e interesuar për Filarmoninë e Kosovës ose në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, që vazhdon të ketë probleme me ngrohje.
Si rezultat i kësaj mungese shumë ngjarje më të mëdha muzikore organizohen në periudhën e verës, kur moti është më i qëndrueshëm në disa ambiente të hapura, siç është Amfiteatri i Parkut të Gërmisë ose sheshet qendrore të qytetit.
Kjo e bën edhe Teatrin Kombëtar të Kosovës të hapë shpesh dyert për organizime që nuk janë pjesë e programit të brendshëm të tij.Zëri