Ejani ashtu siç jeni në “DokuFest”!

Ejani ashtu siç jeni në “DokuFest”!

Kultura gusht 08, 2018 - 09:02

“Aq i fortë sa je”, “Aq i frikësuar sa je”, “Aq i bukur sa je”, “Aq krenar sa je”, “Aq i lënduar sa je”, “Ashtu siç jemi”, “Unë do të jem pasqyra jote” e slogane të ngjashme kanë mbuluar qytetin e Prizrenit, në të cilin po zhvillohet aktualisht edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”. Me qëllim që Prizreni të shndërrohet në një vend ku imagjinohet përtej realitetit, ku reflektohet, mësohet dhe krijohet, organizatorët e “DokuFest”-it kanë vendosur që reflektimi të jetë në qendër të këtij edicioni. Kjo temë po shtjellohet përmes kampanjës së festivalit, si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, të ekspozitave digjitale, të bisedave me artistë, të punëtorive dhe të performancave muzikore shkruan sot gazeta "Zëri".

Gjithsej në 260 do të mbërrijë numri i filmave që do të shfaqen deri në këtë të diele në Prizren (më 11 gusht) që nga hapja e këtij festivali të premten që lamë pas (më 2 gusht).

Festivali, i cili cilësohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në vend, ka mbledhur mysafirë jo vetëm nga Kosova, nga Shqipëria e rajoni, por edhe nga shumë vende perëndimore. Për të parë diversitetin e njerëzve që kanë ardhur në Prizren, edhe nëse ende nuk e keni vizituar “DokuFest”-in, mjafton t’i hidhni një sy projektit “Humans of ‘DokuFest’” që publikohet në faqen zyrtare të këtij festivali në “Facebook”. Fotografja Nita Zeqiri është vendosur për të dytin vit me radhë në qendër të Prizrenit për të vënë në objektivin e saj portretet e shumë njerëzve që vizitojnë “DokuFest”-in, e sivjet ata po ndajnë me Zeqirin mendimet e reflektimet e tyre. Filmbërës, aktorë, përfaqësues festivalesh, studentë e artdashës kanë marrë rrugën për në Prizren, ku i pret programi i filmave, punëtoritë, diskutimet e muzika dhe po bëhen kështu pjesë e albumit të Zeqirit.

Çaji vazhdon të shërbehet shumë në këtë qytet, por në grupet e njerëzve që mblidhen, diskutojnë e kalojnë kohë bashkë mbrëmjeve të “DokuFest”-it nuk mungojnë as birra e rakia në ndejat rreth çarshisë.

Në “DokuFest” takuam edhe Hannan dhe Axel Karlssonin, të ardhur nga Norvegjia në Prizren, për të marrë pjesë në festivalin për të cilin kanë dëgjuar shumë. Ata deklarojnë për gazetën “Zëri” se nga këtu do të kthehen me përshtypje të mira. “Miqtë tanë kanë qenë këtu vitin e kaluar dhe ne kemi dëgjuar shumë fjalë të mira për këtë festival. Sivjet vendosëm të vizitojmë rivierën shqiptare për të bërë plazh dhe pastaj të kthehemi në ‘DokuFest’. Festivali po na duket i mrekullueshëm. Kjo ngjarje po lidhet aq bukur me këtë qytet të vjetër. Programit të pasur po i shtohet veçantia me kinematë e rralla. Dje shikuam një film lart te kalaja dhe ishte vërtet bukur dhe thjesht, diçka e papërjetuar më parë”, tregon Hanna.

Edhe Agim Kastrati, shitës në Prizren, thotë për gazetën “Zëri” se kjo periudhë e vitit e ndryshon komplet këtë qytet dhe ritmin e jetës. “Si qytet me histori gjithmonë kemi pasur vizitorë, por edhe shumë bashkatdhetarë gjatë verës, mirëpo ‘DokuFest’-i është tjetër çështje. Disa javë para se të nisë në Prizren shihet energjia e parapërgatitjeve, mbërritja e mysafirëve dhe rritja e numrit të njerëzve për shumëfish. Këtu vijnë njerëz nga vende të ndryshme, të afërta dhe të largëta. Prizrenasit kanë mundësi edhe t’ua ofrojnë shtëpitë e tyre me qira. Personalisht me pëlqen të bisedoj me vizitorët. Të huajt sidomos janë shumë kureshtarë për Lidhjen e Prizrenit, për kalanë e për shatërvanin. Mendoj se edhe ne i presim mjaft mirë, prandaj edhe shumë prej tyre kthehen këtu çdo vit”, thotë Kastrati.

Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara GAP, të bërë në vitin 2015, përfituesit kryesorë nga ky festival dhjetëditor janë bizneset lokale në qytetin e Prizrenit, siç janë hotelet, qiradhënësit, restorantet, kafe-baret, shitësit ambulantë, por edhe bizneset në nivel kombëtar, si aviokompanitë, bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit.

Ky festival po ashtu njihet për krijimin e mundësive për punësim, për krijimin e investimeve të reja, për ngritjen e të hyrave tatimore dhe për stimulimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

Të dhënat thonë se këtë festival e vizitojnë çdo vit më shumë se 15.000 pjesëmarrës./ZËRI/