Arta Dobroshi me rol kryesor në filmin e Qosjes, që xhirohet në Guci

Arta Dobroshi me rol kryesor në filmin e Qosjes, që xhirohet në Guci

Kultura korrik 19, 2018 - 10:39

Regjisori i mirënjohur kosovar Isa Qosja po përgatit filmin e tij të ardhshëm me titullin “The Stroke”. Ky film do të trajtojë një histori nga vendi i tij i lindjes, Mali i Zi.

Rikujtojmë se filmi i fundit i Qosjes “Tri dritare dhe një varje” (2014) kishte një qarkullim të gjerë në festivale ndërkombëtare, ku gjithashtu është shpërblyer me çmime të shumta. Qosja është mbrapa disa filmave klasikë të kinematografisë të Kosovës, si “Proka” (1985), “Rojet e Mjegullës” (1988) dhe “Kukumi” (2005), shkruan sot gazeta "Zëri".

Sipas informacionit të parë në dispozicion, filmi do të xhirohet në vendlindjen e Qosjes në Gusi, i cili është një qytet i vogël në verilindje të Malit të Zi. Realizimi i një filmi atje ka qenë gjithmonë ëndërr për regjisorin.

Në rolin kryesor luan Arta Dobroshi, njëra nga aktoret më të famshme të Kosovës, e njohur për performancën e saj në “Lorna's Silence” nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne dhe në “Three Worlds” nga Catherine Corsini. Pjesa tjetër e ekipit përfshin Arben Bajraktaraj dhe Mirush Kabashin. Gjithashtu Qosja do të bashkëpunojë përsëri me Gökhan Tiryaki, kinematograf turk i mirënjohur ndërkombëtarisht dhe i vlerësuar me shumë çmime, i cili është veçanërisht i njohur për punën e tij në “Winter Sleep” nga Nuri Bilge Ceylan, fitues i çmimit “Palme d'Or”, dhe “Ivy” nga Tolga Karaçelik.

Në lidhje me filmin e ri regjisori Qosja tregoi se trajton ndarjen e familjeve nga mërgimi dhe shuarjen e qytezave dhe të fshatrave.

“Dua të shpreh qëndrimin tim për filmin ‘The Stroke’ jo vetëm për faktin që ndryshon nga filmat e mi të mëhershëm ‘Kukumi’, ‘Tri dritare dhe një varje’ etj., por edhe për faktin që pas shumë vjetësh kthehem në vendlindje, në Gusi, në Mal të Zi, për ta realizuar këtë projekt. Inspirimi im nuk është vetëm vendi ku kam lindur, por janë njerëzit, ndodhitë dhe shkretëtira që kanë ata brenda shpirtit. Janë familjet e ndara në dysh: të vjetërit që jetojnë aty dhe të rinjtë që kanë emigruar në Amerikë. Kështu ngadalë dhe heshturazi shuhen familjet, qytezat e fshatrat. Jam i bindur që kjo temë do të komunikojë emocionalisht me shumë njerëz që e njohin dhe e dinë shijen e hidhur të emigracionit. Pres që ky film të marrë vëmendje të merituar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Filmi është prodhim i “4MM Productions” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Zëri