Prishtina mirëpret aktorët hollivudian
Foto: Laura Hasani

Prishtina mirëpret aktorët hollivudian

Kultura prill 14, 2018 - 14:05

Aktorët e famshëm Robert Davi dhe Luke Goss, kanë qëndruar të premten në Prishtinë, për premierën e filmit “Your Move”, që u dha në kinemanë e rrjetit “Cineplexx”. Kjo kinema organizoi një gala-premierë për këtë film me rreth 450 të ftuar, ku u përfshinë artistë, fytyra publike e njerëz me ndikim në vend.

Filmi, që i takon zhanrit aksion dhe sjellë historinë e një familje që përballet me kidnapim në Meksiko, erdhi premierë në Kosovë si rezultat i angazhimit të ndihmës-producentit dhe biznesmenit shqiptar, Duka Gërvalla.

Në konferencën për media, që i parapriu kësaj premiere, aktorët Davi dhe Goss u shprehen shumë të kënaqur për faktin se ndodhen në Kosovë.

“Gjëja e parë që vura re kur erdha këtu është se duket sikur po lulëzon. Ka një sens të faljes. Lulëzim. Mikpritja ishte shumë e mirë dhe e ngrohtë”, u shpreh Goss.

I kënaqur për vizitën këtu u shpreh edhe kolegu i tij Robert Davi, i cili dukej edhe i informuar për historinë e vendit.

“Për mua si amerikan është mirë të jem këtu. E di që sapo keni festuar 10 vjetorin e Pavarësisë, pastaj ishte përvjetori i vdekjes së Adem Jasharit në mars. Ky shtet po kalon në këto vështirësi. Edhe karakteri i Luke në këtë film kalon nëpër këto vështirësi. Ne kemi lexuar për Kosovën në lajme, por të vish këtu dhe të njoftohesh me njerëzit është prekëse”, tha Davi.

Muzikanti dhe aktori Luke Goss në këtë film pati disa role. Si regjisor, aktor por edhe angazhime të tjera meqë ishte filmi i tij. Ai tha se menaxhimi i gjithë këtyre detyrave ishte sfidë.

“S’mund të kërkoja diçka nga askush, por në anën tjetër ishte çliruese si detyrë”, tha Goss. Ai u shpreh i kënaqur me produktin final të këtij projekti.

“Ne të gjithë e dimë se mund të bëjmë më mirë. Do të bëjmë edhe më shumë si regjisor, por si film i parë jam i lumtur me të”, theksoi Luke Goss. Ndër të tjera, regjisori theksoi edhe faktin se filmi flet për atë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë për njerëzit tanë të dashur kur jemi larg tyre.

Aktorët u shprehen të interesuar për të parë Kosovën si një sheshxhirim të mundshëm.

“Ne do të analizojmë këtë regjion dhe do të shohim vendet ku ndoshta mund të gjirojmë një film apo të bisedojmë më filmbërsit nga këto anë”, tha Gosse.

 

Në anën tjetër, Dëfrim Puka, menaxheri i marketingut në rrjetin e kinemave “Cineplexx”, tha para gazetarëve se Cineplexx po përpiqet të organizojë sa më shpesh ngjarje të tilla, ku protagonistët e filmave të vijnë në Kosovë.

“Ideja ka ardhur nga biznesmeni shqiptar Duka Gërvalla. Kur Duka e ka prezantuar si mundësi ne e kemi shtyrë në atë drejtim sa më shumë, sepse e kemi ditur se është një ngjarje e rëndësishme për kulturën. Kjo është një nismë e re, sepse po mundohemi të sjellim protagonistë të filmave në Kosovë për premierat e tyre”, tregoi Puka.

Pas Prishtinës, filmi këtë të shtunë do të jepet premierë edhe në Tiranë dhe aktorët Gosse dhe Davi do të jenë prezentë edhe atje.