“Hyjnesha në fron” me maskë
Në një nga punimet e tij studenti i dizajnit grafik, Gent Shala, i ka vënë simbolit të “Hyjneshës në fron” një maskë për mbrojte nga ajri i ndotur.
Shala këtë punim e kishte bërë para rreth një viti si detyrë universiteti por duke qenë se çështja e ajrit të ndotur në kryeqytet është aktualizuar sërish ai ka menduar që punimin e tij ta ndajë me të tjerët.
Për gazetën “Zëri” dizajneri tregon se ka zgjedhur “Hyjneshën në fron” për punimin e tij meqë me të identifikohet Prishtina.
“Në fakultet si temë e kemi pasur ndotjen e ajrit në Prishtinë, të cilën është dashur ta paraqesim me diçka që e identifikon Prishtinës. Kështu unë për punimin tim zgjodha t’i vendosi një maskë ‘Hyjneshës në fron’ meqë ajo është simbol i Prishtinës dhe meqë gjendja e ajrit ishte dhe është aq e keqe sa do të duhej të bartnim maska”, thotë Shala.
Rikujtojmë se aktualisht qyteti i Prishtinës po renditet në krye të listës së qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Si rezultat i kësaj situate përmes formave të ndryshme po kërkohet reagim institucional dhe shoqërorë për mbrojtje të qytetarëve nga kjo ndotje. Zëri