'Armiku i popullit', premierë në Teatrin 'Bekim Fehmiu'
Një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore, “Armiku i popullit”, nga Henrik Ibsen, do të vihet në skenën e Teatrit të qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu”, të martën me 4 korrik, shkruan sot, gazeta Zeri.
Shfaqja vihet në skenë në regjinë e Fatos Berishës, ndërsa kasta e aktorëve është e tërë trupa e teatrit të Prizrenit, me disa aktorë mysafirë. Ky version i dramës së Ibsenit është ripërpunuar nga një tjetër autor i madh, dramaturgu amerikan Arthur Miller.
“Jam i lumtur që arritëm të finalizojmë shfaqjen pas një periudhe të shkurtër, por shumë intensive të punës. Për mua ishte hera e parë që punoj në Teatrin e Prizrenit dhe jam shumë i kënaqur me mundësitë infrastrukturore që më janë ofruar nga teatri, si dhe me mbështetjen nga drejtori Paçarizi. Nuk është vepër e lehtë për realizim, kërkon shumë punë dhe disiplinë. Është një nga veprat që kam pasur dëshirë gjithmonë t’i punoj, e do thosha edhe një nga ato vepra që më së miri reflektojnë kohën që po e jetojmë. Kohë ku në emër të interesit publik abuzohet me pushtetin dhe ku në emër të fjalës së lirë shkatërrohet jeta e individit” u shpreh regjisori Fatos Berisha.
Ndërsa Fetah Paçarizi, drejtori i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, me këtë rast deklaroi: “Kjo është premiera e dytë për këtë sezon teatror. Është një projekt i madh, i rëndësishëm për ne si teatër dhe komunitet. Është premiera e parë me emrin e ri të teatrit tonë, emrin e ikonës së teatrit dhe filmit Bekim Fehmiu. I ftoj të gjithë dashamirët e teatrit të vijnë të shohin këtë projekt të ri teatror”.
Drame e njohur e Ibzenit flet për moralin dhe imoralitetin, hipokrizinë dhe ndrydhjen e individit nga qarqet e fuqishme vendimmarrëse.
“Armiku i popullit” është një ndër dramat më të fuqishme që flet për keqpërdorimin e asaj që quhet “interesi publik”.
Në shfaqje luajnë: Shpëtim Selmani, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Alban Çela, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Alban Morina, Edona Sopaj, Rifat Smani, Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Atdhe Kasapolli, Zgjim Baraliu dhe Abdulla Zogaj.
Asistent regjie Kaltrim Balaj, kostumet Samka Ferri, skenografia Petrit Bakalli, përpunimi i korit Trimor Dhomi, mjeshtër ndriçimi Skender Latifi, përkthimi Lekë Berisha ndërsa udhëheqës i projektit Fetah Paçarizi. Reprizat e para do të jenë me 6 dhe 8 korrik, në orën 20.