Një shfaqje si model i teatrit politik të absurdit

Kultura May 29, 2017 - 09:28

Peer Gynti nga Kosova është një i ri që i ka shpëtuar masakrave në vendlindje, por që është i dënuar të jetojë në liri! Këtu zë fill ideja për teatrin politik të absurdit, mbi të cilën bazë edhe e ndërton tekstin e tij autori i dramës "Peer Gynti nga Kosova", Jeton Neziraj. Regjinë e kësaj shfaqje e ka bërë Agron Miftari, ndërsa luajnë: Tristan Halilaj, Donikë Ahmeti, Shpëtim Selmani dhe Ernest Malazogu. Skenograf i shfaqjes është Nikcola Minsen, ndërsa muzikën e ka punuar Gabriele Marangoni. Për kostumet është kujdesur Yllka Brada, ndërsa si dramaturg është angazhuar Stefan Schletter.

Peer Gynti, si i dënuar të jetojë në liri, personifikon fatin e të riut tonë, i cili për të mbijetuar detyrohet të marrë botën në sy, madje deri edhe në vijën e luftës në Siri, për t'u kthyer në fund në vendlindje me gjithë atë bjeshkë dëshpërimi mbi supe. Duhet thënë se situatat nëpër të cilat kalon Peer Gynti, janë mjaft ilustrative për numër të madh të të rinjve tanë, që si strehë mbijetese kanë gjetur Evropën. Prostitucioni, hajnia, trafikimi me narkotikë, ndëshkimet me burg, janë situata dramatike, të cilat lirshëm mund të themi se janë vjelë nga realiteti ynë. Në këtë mënyrë edhe teksti, po edhe vetë shfaqja, marrin një karakter dokumentar, pa të cilin edhe nuk do të mund të bëhej një shfaqje e teatrit politik. Në anën tjetër absurdi ndërtohet nëpërmjet një ironie shumë funksionale, e cila herë-herë ngrihet deri në groteskë, për të shpërfaqur kështu oponencën kombëtare, kaq të munguar ndër ne, po njëkohësisht edhe kaq të nevojshme. Po në shfaqje nuk mungon as humori zi, i cili akceptohet mirë nga publiku. Të gjitha këto bëjnë që skena të jetë shumë më afër sallës, ku është i vendosur publiku, mbase me tendenca të dukshme që edhe të zhduket fare kjo vijë ndarëse, gjë të cilën e ndihmon shumë ritmi i shfaqjes, i përcjell me rekuizitat në skenë dhe tymin që provon t'i jap zjarr jo vetëm skenës, por edhe sallës, ku është i vendosur publiku, i cili në asnjë rast nuk ndjehet indiferent ndaj zhvillimeve në skenë, po përkundrazi.

Kur jemi tek publiku, duhet thënë se kjo është një shfaqje që në shkallë të lartë pranohet nga ai. Madje ky fakt bënë edhe një dëshmi se teatri politik asnjëherë nuk u zhvillua në hapësirat tona në masën siç është zhvilluar dhe vazhdon të zhvillohet në vendet përreth nesh. Ne ende sikur besojmë se zhvillimet politike në vend shpesh shkojnë përtej akceptimit estetik të vendosjes së tyre në skenë. Po jo vetëm kjo dramë e Nezirajt, por edhe të tjerat, të ndërtuara në bazë të këtij modeli të teatrit politik të absurdit, kanë dëshmuar se janë të pëlqyeshme nga publiku dhe si të tilla ndikojnë dukshëm që publiku t'i kthehet teatrit, gjë kjo e cila ia shton vlerën jo vetëm kësaj shfaqjeje, e cila vërtet u prit mirë nga publiku.

Duke qenë se shfaqja konceptohet me premisa muldimediale, regjia ka mundur të gjejë edhe zgjidhje më të pranueshme dhe më të pëlqyeshme në ndërtimin e kolazhit skenik, nëpërmjet të cilit edhe realizohet shfaqja. Po të gjitha ato finesa që do të mund të ishin të diskutueshme, mbulohen nga ritmi i shfaqjes, gjë kjo e cila dukej qartë se me të drejtë ishte misioni primar i regjisorit.

Loja e aktorëve në përgjithësi ishte korrekte. Me angazhimin e tyre fizik dhe me lojën, që mbështetej mbi fjalën si i vetmi mjet i gjallë në skenë, arritën që të ruajnë ritmin e shfaqjes dhe asnjëherë të mos lejojnë që ai të rrënohet në skenë. Sigurisht që në këtë kuadër duhet veçuar lojën e aktorit Shpëtim Selmani, i cili mbase u shfaq në role të shumëfishta dhe që në të gjitha këto ndryshime ia doli me sukses./Zeri/