Nuk jetohet në vendin ku nuk ka një shkrimtar të gdhendur në bronz
Në rubrikën “Jepi Zërit” kësaj radhe prezantojmë publicistin dhe shkrimtarin e njohur kosovar Halil Matoshin
Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?
Pse? Pse uria, dhimta dhe vdekja? Lufta pse? Pse jo dashuria!? Në këtë temë jam duke shkruar një roman dhe po ua zbuloj Juve titullin “Deri në fund të gjuhës”, si përpjekje për ta letrarizuar dhunën, torturën dhe agresionin deri në shkaktimin e amnezisë, kur trupi mobilizohet për të mos e folur gjuhën e armikut, cilido qoftë ai…
Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?
Një caffe mjesi, pastaj pason “sëmundja” e shekullit internet &lajmet e ditës. Mesditën e shfrytëzoj për të shkruar, qoftë kolumnen e të mërkurës në KOHA Ditore, qoftë shkrime letrare ose ndonjë ese që më ka ngelë në gjysmë… Pas darke shëtis në kopsht, ujis lulet dhe rëndom dëgjoj muzikë kur nuk dal me miqtë e mi. Dëgjoj muzikë, kryesisht kanzone italiane (Umberto Tozzi & Monica Beluci, Toto Sutungo, Al Bano & Romina Power), shansone franceze si Aznavur, Helene Segara, etj. Por edhe Tanita Tikaram dhe rock të vjetër të mire, si U2, Pink Flloyd, Peter Gabriel, Guns n’Rose etj. Ndonjëherë e dëgjoj Riza Bllacën, Sali dhe Feriz Krasnqiin dhe “Bob Dylanin e shqiptarëve -Dervish Shaqa! Pasdite kur nuk jam në TV dal për të ecur andej nga liqeni i Badocit. Dhe këndoj vetë duke ecur… Kthehem prapë me lajme, prapë interneti, rrjetet sociale... Në mbrëmje kur nuk jam në Click RTV 21 lexoj poezi, njëherësh po e lexoj Encesbergerin, Ungaretin dhe Pesoan… Por edhe dy libra “të rëndë”, “Dardanci u antici” (Dardanët në antikë) të Dr. Zef Mirditës, botuar së voni nga Akademia e
Shkencave të Kroacisë në Zagreb dhe “Metafizika e iluminizmit” të Blerim Latifit, botuar nga ASHAK.
Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?
“Jeta dhe koha e Majkell K.“, nga J.M.Coetze
Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?
Shpesh i thyer dhe i zemëruar në elitat politike dhe kulturore (po e mbisundon mendësia neokomuniste/enveriste) megjithatë vazhdoj të jem optimist i matur. Kriza morale e shoqërisë kosovare më ka cfilitë, njashtu edhe kriza identitare. Ndërkohë zërat etnonacionalistë po rriten në elemente shpërbërëse të shoqërisë dhe shtetit kosovar si derivat i mospërmbushjes, përkatësisht i mosrealizimit në rrafshin individual dhe kolektiv. Patriotizmi dhe nacionalizmi shqiptar që nga epoka e kombkrijimit (1878 – 1925) nuk është transformuar në fuqi kohezive për mirëqenie, industrializim e modernizim, perëndimorizim, porse ka mbetur aty ku ishte: nacionalizëm defansiv, me primesa primitive, fetare e ideologjike (kryesisht të majta), si pasojë e dhunës dhe izolimit enverist. Së këndejmi, ky nacionalizëm nuk është transformuar në patriotizëm ligjor/kushtetues, që garanton vepra të mëdha të përbashkëta sot dhe nesër, porse ka mbetur i tillë, etnonacionalizëm verbal që përplas grupet e ndryshme të shoqërisë mes veti, partitë politike pra edhe institucionet e shtetit. Pak janë ata atdhetarë të vërtetë shqiptar sot, që mund ta kuptojnë kontekstin e të qenit patriot kushtetues kosovar sot, që është thjesht zëvendësim i patriotizmit shqiptar që nga ndarja dhe zaptimi i hapësirës jetike shqiptare, më 1913. Pra, patriotizmi shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit e deri tek pavarësia e Shqipërisë më 1912 dhe të gjitha përpjekjet e shqiptarëve etnikë për liri nën tre Jugosllavitë sot duhet transformuar në kosovarizëm, sepse është koha kur të gjithë, pra edhe shqiptarët e “Shqipërisë së poshtme” (term i përdorur nga autori John Foster Fraser në librin e tij me të njëjtin titull) duhet të vihen në shërbim të etablimit të shtetit kosovar dhe afirmimit ndërkombëtar të tij, e jo t’i qojnë hundët pse kombëtarja kosovare ka joshur dy-tre futbollistë që më parë kanë luajtur me top për kombëtaren shqiptare!? E sot duhet t’u thuhet me britmë shqiptarëve të ndihen kosovarë, sepse kjo d.m.th, të ndihen të përgjegjshëm për vete, për lirinë e tyre dhe për fatet e tjerëve, në këtë botë të vogël e të çalë...
Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?
Vendi ku një këngëtare (akëcila) që deshet cullak për séancë fotografimi erotik ose për publicitet kremërash e parfemesh, një futbollist ose një ‘reper’ që shanë e pështynë të tjerët, krahasohet me Skënderbeun dhe ku nuk përmendet asnjë shkrimtar është i pajetueshëm. Shihni Prishtina, Meka dhe Jeruzalemi ynë, nuk e ka asnjë shkrimtar të gdhendur në bronz, sepse shkrimtarët nuk janë të afërt me politikanët injorantë dhe agresivë…Ata ziheshin me pushtetet e kohës dhe të te gjitha kohëve që vijnë pas tyre…
Në Prishtinë nuk ka një shtatore At Zef Pllumi, nuk ka një bust Esad Mekuli as Anton Pashku, Ali Podrimja as Mirko Gashi, ose Ndre Mjeda e Martin Camaj…
Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?
Dje kemi vuajtur në mungesë të lirisë, sot po vuajmë në mungesë të dijes, nesër mund të vuajmë në mungesë të bukës dhe ujit (në Kosovë ka gjithçka pos ekonomistë që dinë të te tregojnë si do të ushqehet ky vend!?) E shihni, klima po ngrohet, e lumenjtë po shterojnë, arat po mbushen ngrehina!? Unë kam mbjellë fik në kopshtin tim, ndërsa në fshatin e lindjes, ku me dorë kam zënë peshk nën gurët e lëmuar, nuk dihet më se aty kishte një lumë…Eh tash të vetmen ëndërr e kam që të ngre një kasolle skaj një lumi dhe të dëgjoj me orë të tana gurgullimën e lumit, natën vonë, dhe “kangën e tejkohshme, të pashmangshme të gjinkallave…Porse lumenjtë janë tha ose po shterojnë më shpejt se sa ne po plakemi…
Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
Piktura “Zogjtë” e Van Ghog, poezia “Terroristi” e Wislwa Szymborskas dhe filmi “Dreams” (Ëndrrat) nga Akira Kurosava.