Shën Tereza, metaforë e dashurisë që na mungon

Shën Tereza, metaforë e dashurisë që na mungon

Kultura shtator 05, 2016 - 08:28

Me shenjtërimin e saj Nëna Terezë tashmë është bërë e dukshme në qiell. Besimtarët mund ta shohin dhe të kërkojnë ndihmën e saj, ndërsa shqiptarët, pa dallim feje, mund të mbushen krenari dhe në respekt të saj të provojnë të kultivojnë dashurinë dhe paqen mes veti dhe me të tjerët përreth. Për shenjtërimin e saj u deshën të dëshmohen dy mrekulli nga jeta dhe aktiviteti i saj. Në fakt dy mrekullitë më të mëdha të saj kishin të bënin me investimin, me tërë qenien e saj, në kultivimin e Dashurisë dhe të Paqes.

Dhe këtë moment shenjtërimi shqiptarët e shfrytëzuan mirë. Vërtet, nëpërmjet një organizimi solid, arritën që në Vatikan, në qendrën e krishterimit, nëpërmjet fjalës shqip, të shpalosin identitetin e tyre kulturor, të cilit i takon edhe e shenjta Nëna Terezë. Bazilika e Shën Palit në Vatikan u bë një skenë e hapur për shqiptarët. Aty u mbajt një koncert i madh, nëpërmjet të cilit defiluan disa nga emrat më të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Fakti që ky koncert u përcoll nga miliona njerëz nga mbarë bota, përbënte një rast të mirë që shteti i ri i Kosovës të shihej dhe të dëgjohej më shumë dhe më mirë se nga të gjitha aktivitetet politike të këtyre viteve të pasluftës.

Sigurisht që meritat për këtë i takojnë Ipeshkëvisë së Kosovës, e në veçanti dr. Dom Lush Gjergjit, i cili edhe njihet në botë si biografi më i mirë i jetës dhe veprës së Nënës Terezë. Dom Lushi ka meritat më të mëdha që Nëna Terezë të ishte vazhdimisht e lidhur me atdheun dhe njerëzit e saj. Me librat e shkruara për të, madje edhe në gjuhë të huaja, e shumë sosh të përkthyera nga shqipja, Dom Lushi afirmoi përkatësinë e saj, njëherazi duke afirmuar edhe të qenit tonë në këtë planet. Dom Lushi ishte më i merituar edhe në themelimin e shoqatës humanitare dhe bamirëse me emrin e saj në Kosovë. Dom Lushi bëri që fryma e Nënës Terezë të futet në çdo familje shqiptare, nëpërmjet ndihmave të ndryshme dhe formave tjera të bamirësisë, në një kohë kur shqiptarët e Kosovës përjetonin një gjendje tepër të vështirë politike dhe ekonomike nën okupimin serb.

Tek i dëgjon prononcimet e politikanëve tanë të papërgjegjshëm dhe si të tillë të pa dinjitetshëm, të cilët si në kor thonë se ne i dhamë botës një bijë tonën, e ke të qartë se Shën Tereza e ka zor të bëhet pjesë e kulturës sonë, brenda së cilës do të rrezatonte paqe dhe dashuri për ne dhe mes nesh. Shenjtërimi i saj së pari duhet të kuptohet si nevojë e brendshme për ne, si model, si shembull se si mund t’i ndërtojmë raportet tona në dobi të një të ardhme më të mirë, ku nëpërmjet kultivimit të dashurisë do të mund ta mundim urrejtjen, e cila, shkaku i prerjeve të vrazhda kulturore, me shekuj është kultivuar në këto hapësira. Edhe sot urrejtja është gjëja që kultivohet më së shumti ndër ne. Prandaj shenjtërimin e Nënës Terezë do të duhej ta kuptonim si një shembull, si një udhërrëfyes për ta kapërcyer këtë prag të urrejtjes. E dihet se jeta funksionon nëpërmjet shenjave dhe simboleve. Shenja e fituar me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë do të duhej të kuptohej dhe vlerësohej si një pasuri shumë e madhe. Vetëm nëse e respektojmë këtë shenjë mund ta bëjmë kuptimisht tonën të shenjtën Terezë. Sigurisht kjo është zor të kuptohet në një vend të shndërruar në kënetishtë, por e rëndësishme është që e kemi dhe me shembullin e saj mund të shërbehemi kudo dhe kurdo.