Burgimi i përjetshëm, dënimi më i lartë në Kosovë
Vrasjet e rënda ordinere, ato politike dhe terrorizimi sipas Kodit Penal të Kosovës konsiderohen si veprat më të rënda kriminale, për të cilat pason dënimi maksimal - me burgim të përjetshëm. Deri para tri vjetëve, dënimi maksimal në Kosovë ka qenë 40 vjet heqje lirie, ndërsa tani ky dënim me Nenin 44 të KPK-së është për tërë jetën.
Deri më tani në vendin tonë është shqiptuar vetëm një rast me burgim të përjetshëm. Dënimi është shqiptuar në shtator të vitit të kaluar, ku Gjykata Themelore e Prishtinës, konkretisht, Departamenti për Krime të Rënda, kishte shpallur fajtor dy shtetas kosovarë, të cilët kishin kryer vrasjen makabre të një shtetasi serb me orgjinë boshnjake nga Novi Pazari. Por, Gjykata e Apelit e ka zbutur dënimin për dy këta dy persona dhe ka vendosur që ta hedhë poshtë vendimin e shkallës së parë dhe personat e dënuar me burgim të përjetshëm t’i dënojë me 25 vjet, respektivisht 22 vjet burg.
Në bazë të Kodit Penal të Kosovës, cenimi i rendit kushtetues dhe i sigurisë në vend vlerësohen si vepra që rezultojnë me vdekjen e një apo më shumë personave; që përcillen me dhunë ose shkatërrim në shkallë të madhe, si dhe veprat që rrezikojnë sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Kosovës. Sipas këtij Kodi, i dënueshëm me burgim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm është bërë edhe gjenocidi.
I njëjti dënim, sipas Kodit, kap edhe personat që kryejnë krime kundër njerëzimit, ku hyjnë: vrasja, shfarosja, skllavërimi, deportimi ose përzënia me dhunë e popullsisë, burgosja, torturimi, dhunimi, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, shtatzënia me dhunë, sterilizimi i detyruar, persekutimi i një grupi për arsye politike, racore, kombëtare, etnike, kulturore, fetare apo gjinore, zhdukja e detyruar e personave, krimi i aparteidit, si dhe vepra të tjera çnjerëzore. Dënimi maksimal nga viti 2013 rëndon edhe mbi ata që merren me kontrabandë të emigrantëve, si dhe me trafikim të qenieve njerëzore.
Në burg të përjetshëm mund të përfundojnë edhe kidnapuesit. Dënimi i përjetshëm është paraparë edhe për dhunuesit. Po ashtu edhe hakmarrja që përfundon me vrasje kualifikohet si vepër e dënueshme me burgim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Ismet Salihu është profesor i së drejtës penale. “Deri më 1 janar të vitit 2013 në Kodin Penal ka qenë e paraparë dënimi më i rëndë me burgim afatgjatë, i cili ka qenë 40 vjet, tash me plotësim-ndryshimet e Kodit Penal e kemi paraparë burgimin e përjetshëm. Kjo është bërë për shkak se ka krime jashtëzakonisht të rënda dhe për këtë arsye është paraparë dënimi me burgim të përjetshëm. Burgimi i përjashtëm vlen për vepra shumë të rënda që kanë të bëjnë me terrorizëm, vrasje të zyrtarëve të lartë, vrasje të rënda, ky dënim është paraparë për krimet e rënda në përgjithësi”, tha ai.
Burgimi i përjetshëm, sipas tij, nuk mund t’u shqiptohet personave të cilët janë nën moshën 21-vjeçare dhe atyre me sëmundje mendore, edhe nëse i kryen këto vepra jashtëzakonisht të rënda, që parashihen me Kodin Penal.
Sipas Salihut, ky dënim duhet të shqiptohet më shpesh për kryesit e krimeve të rënda, sepse ky shqiptim i dënimeve e ka efektin preventiv të tërheqjes së vërejtjes për kryesit potencialë të këtyre krimeve.
“Gjatë bisedimit me prokurorë dhe gjykatës unë jam i mendimit se ky dënim të shqiptohet pak më shpesh sepse shqiptimi i këtij dënimi e ka efektin e vet preventiv, i cili do të tërhiqte vërejtjen e personave të tjerë për të mos kryer krime të rënda. Unë mendoj se ky dënim duhet të shqiptohet më shpesh kur kemi të bëjmë me krime jashtëzakonisht të rënda”, ka thënë Ismet Salihu.
Ndryshe, personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm kanë mundësi të kërkojnë falje nga presidenti i vendit vetëm 25 vjet pas mbajtjes së dënimit.