Katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë
Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë - në Gjilan, Pejë dhe dy raste në Gjakovë, raporton Zeri.info.
Në Gjilan është raportuar se një person kishte ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij, ku i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Gjilan, 27.10.2026 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti tjetër është raportuar në Pejë, ku një femër është kanosur nga ish-burri i saj, i cili gjendet ende në arrati.
“Pejë, 27.10.2026 – 20:00. Është raportuar se viktima femër është kanosur nga ish-burri i saj, i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Ndërkaq dy raste tjera të dhunës në familje janë raportuar në Gjakovë, ku viktima kanë qenë femrat.
Në rastin e parë të “Dhunës në familje” po në Gjakovë, policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt.
“Gjakovë, 25.10.2026 – 11:30. Është raportuar se viktima femër kosovare është kërcënuar dhe më pas sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilën ishte duke bashkëjetuar. Viktima ka refuzuar trajtim mjekësor. Më 27.10.2026 është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Ndërsa në rastin e tjetër, po ashtu të ndodhur në Gjakovë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj, i cili është dërguar në mbajtje.
“Gjakovë, 28.10.2026 – 00:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri