Avokati paralajmëron ankesë në Apel pas masës së paraburgimit: Geci e respekton fjalën e lirë
Avokati i Gani Gecit, Besnik Berisha, ka folur pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për Gecin, duke e cilësuar këtë vendim si të panevojshëm.
Ai tha se do të dorëzojnë një ankesë në Gjykatën e Apelit për këtë, ndërsa pretendoi se gjykata vendosi në këtë mënyrë për shkak të “emrit të përveçëm”.
Geci dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
“E gjykojmë si vendim në papërshtatshmërinë ligjore. Absolutisht i panevojshëm dhe natyrisht në kundërshtim me secilën praktikë që gjykata ka zbatuar deri më sot. Jemi të bindur që masa e paraburgimit është caktuar për shkak të emrit të përveçëm jo për shkak të kushteve ligjore, por gjithsesi besojmë fuqishëm që do të korrigjohet në Gjykatën e Apelit ku do të jetë një ankesë që do të ushtrohet brenda afatit ligjor”, tha Berisha.
Ai tha se “s’ka dilemë që zoti Geci e respekton fjalën e lirë”, ndërsa shtoi se “ka një keqkuptim mes asaj çfarë është kërkuar dhe çfarë është denoncuar”.
Sipas Berishës, Geci ka kërkuar që të mos “linçohet familja me Serbinë dhe të pretendohet se ata kanë lidhje ose asocohen me Serbinë”.
“Pra, kanë qenë lutje për ta hequr. “Pash ni Zot hiqe se kështu kena me u vra”, e kishte shkruar Prokurori”, tha Berisha.
Avokati Berisha tha se Geci ka qenë viktimë e “një sulmi tinëzar” në vitin 2001 dhe se për këtë arsye ai e “e ka perceptuar se një shkrim i tillë mund të çojë në një nxitje të urrejtjes që mund të shpie në cenimin e sigurisë dhe jetës së familjes dhe ka kërkuar heqjen e postimit, por jo domosdo që e ka bërë në mënyrë kërcënuese apo kanosëse siç pretendohet”.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë, Geci kishte shkuar në vendin e punës të Mehmetajt dhe e kishte kanosur drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.