Dyshohet se i përvetësoi 105 euro në Aeroport, IPK-ja kërkon suspendimin e policit
Inspektorati Policor i Kosovës, ka nisur hetimet ndaj një zyrtari policor që dyshohet se nuk ka vepruar në përputhje me procedurat ligjore pasi kishte pranuar një shumë prej 105 eurosh, të gjetura në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Rasti është pranuar nga IPK-ja më 14 shtator 2026, pas referimit nga Policia e Kosovës, ndërsa lidhet me dyshimet për veprime të kundërligjshme nga një zyrtar policor me detyrë në Stacionin Policor Kufitar në aeroport.
Sipas informatave fillestare të siguruara gjatë hetimit, më 9 shtator një punonjës i aeroportit kishte raportuar humbjen e 105 eurove. Gjatë shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, është konstatuar se paratë ishin gjetur nga një udhëtare, shtetase e Kosovës me banim në Gjermani.
Sipas IPK-së, udhëtarja më pas ia kishte dorëzuar paratë një zyrtari policor.
Gjatë veprimeve hetimore, zyrtari policor ka pranuar se kishte marrë paratë, por nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar ato në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale të parapara për raste të tilla.
Sipas shkresave të rastit, paratë më vonë ishin vendosur në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në Aeroport.
Duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe me qëllim të sigurimit të kushteve për zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor.
IPK ka bërë të ditur se hetimet po zhvillohen në drejtim të dyshimeve për veprat penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i Pasurisë së Huaj”.
Hetuesit e Inspektoratit Policor, në koordinim me Prokurorinë, do të vazhdojnë me veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.