Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, institucionet e Kosovës do të vizitojnë varrin masiv në Kalludër
Foto: Laura Hasani

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, institucionet e Kosovës do të vizitojnë varrin masiv në Kalludër

Kronika August 27, 2026 - 15:27

Me rastin e 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Policia e Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti për Mjekësi Ligjore do të zhvillojnë një vizitë në lokacionin e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut.

Aktiviteti do të mbahet më 28 gusht, në orën 12:00, në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur.

Sipas njoftimit të përbashkët të institucioneve, vizita organizohet në shenjë respekti dhe nderimi për viktimat e zhdukjeve me forcë, si dhe për të shprehur solidaritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj familjeve të personave të zhdukur.

Familjet e të zhdukurve, siç thuhet në njoftim, vazhdojnë prej më shumë se dy dekadash të kërkojnë të vërtetën dhe fatin e më të dashurve të tyre.

Aktiviteti synon gjithashtu të theksojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe partneritetin me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur në procesin e kërkimit dhe zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. /Zëri