Parandalohet kontrabanda e pashtetave, çipsave dhe gullashit

Parandalohet kontrabanda e pashtetave, çipsave dhe gullashit

Kronika August 26, 2026 - 14:02

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut.

Rasti është parandaluar më 26 gusht, kur njësia e Task-Forcës - Jugu ka vërejtur një furgon të bardhë me targa vendore, i cili nga drejtimi i fshatit Tanushë të Maqedonisë së Veriut kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, në drejtim të fshatit Mjak të Vitisë.

Njësitet policore kanë reaguar dhe kanë arritur ta ndalojnë automjetin në afërsi të brezit kufitar.

Gjatë kontrollit, në furgon janë gjetur sasi të konsiderueshme të produkteve ushqimore, përkatësisht 9.525 copë çipsa, 700 copë pashteta me peshë nga 95 gramë dhe 750 copë gullash gjedhi me peshë nga 200 gramë.

Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen ose importimin e mallrave, ndërsa produktet kishin mbishkrime të Maqedonisë së Veriut.

Vlera preliminare e mallrave të dyshuara si të kontrabanduara është mbi pesë mijë euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat doganore të shmangura.

Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor. Rasti do të procedohet më tej nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës. /Zëri