Kjo është gjendja shëndetësore e punëtorit të lënduar në Obiliq
Një punëtor i “Kosovamont” është lënduar në vendin e tij të punës në KEK, një ditë më parë. Ai ka pësuar lëndime serioze dhe po trajtohet në mjekimin Intensiv Qendror në QKUK.
Shefi i Mjekimi Intensiv Qendror, Shaqir Uka, bëri të ditur se gjendja e tij është stabile.
“Në Mjekimin Intensiv është pranuar dje një pacient nga Qendra Emergjente, ku për shkak të lëndimeve që janë shkaktuar në regjionin e kokës, është dashur t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik dhe pas intervenimit kirurgjik, pacienti është sjell në Mjekimin Intensiv, ku vazhdon të marrë trajtimin mjekësor. Lëndimet janë serioze, në regjionin e kokës, ku është dashur edhe të bëhet intervenimi kirurgjik. Gjendja e pacientit stabile, edhe pse lëndimet janë shumë serioze”, ka bërë të ditur Uka.
Ai theksoi se 60-vjeçari vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna dhe i kyçur për aparatura mjekësore./dukagjini