Policia apelon për kujdes në trafik, 1315 gjoba në Gjilan
Gjatë javës që lamë pas, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, njësia rajonale e trafikut rrugor dhe stacionet policore, në kuadër të implementimit të planeve operative për siguri në trafik, kanë shqiptuar gjithsej një mijë e treqind e pesëmbëdhjetë (1315) gjoba.
Sipas Policisë, gjatë periudhës kohore 05.06.2026 – 11.06.2026, në kuadër të këtyre planeve operative, janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh në terren me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në këtë periudhë janë hetuar gjashtëmbëdhjetë (16) aksidente trafiku me dëme materiale, si dhe dymbëdhjetë (12) aksidente trafiku me persona të lënduar.
Gjithashtu, nga njësitet kompetente janë shqiptuar njëzet e një (21) gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë, tridhjetë e një (31) gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes së automjetit, si dhe gjashtëdhjetë (60) gjoba ndaj ngasësve të motoçikletave për shkelje të ndryshme në trafik.
Në kuadër të masave të ndërmarra, Policia ka shqiptuar edhe masa të ndalim drejtimit të mjeteve motorike për tridhjetë e tre (33) ngasës që kanë shkelur dispozitat ligjore në fuqi.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore në fuqi, të ulin shpejtësinë e lëvizjes, të mos përdorin telefonin gjatë ngasjes, të vendosin rripin e sigurisë, si dhe të kenë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Po ashtu, Policia rikujton respektimin e sinjalistikës rrugore dhe semaforëve, duke theksuar se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.