Bilanc tragjik në rrugët e Kosovës, katër jetë të humbura në fillim të prillit
Ditët e para të muajit prill janë shënuar me një bilanc tragjik në trafikun rrugor në Kosovë, ku katër persona kanë humbur jetën në aksidente të ndryshme.
Më 5 prill një përplasje mes një veture dhe një motoçiklete ka ndodhur në Llugë të Podujevës, ku tre persona kanë mbetur të lënduar. Njëri prej tyre, fatkeqësisht, ka vdekur disa ditë më vonë në QKUK.
Vetëm një ditë më pas, në Baicë të Drenasit, është shënuar një tjetër aksident me fatalitet. Në përplasjen mes një kamioni dhe një veture, një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Pak ditë më vonë, në Livoç të Ulët të Gjilanit, një i ri humbi jetën si pasojë e një aksidenti mes dy motoçikletave. Viktima ishte Arbnor Mehmeti, 24 vjeç, i cili vdiq në mënyrë tragjike.
Ndërkohë, aksident fatal është regjistruar edhe mëngjesin e sotëm (e hënë), në fshatin Dobrushë të Istogut, ku humbi jetën një 32-vjeçar.
Viktima, Enis Osmanaj, sipas Policisë, dyshohet se duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka devijuar djathtas dhe është përplasur me një shtyllë betoni, raporton Klankosova.tv.