Dështon seanca e Apelit ndaj policit të akuzuar për aksidentin ku vdiq 26-vjeçarja
Për arsye se mbrojtësja e të akuzuarit- zyrtarit policor Argjend Kastrati, avokatja Majlinda Sadikaj ishte e angazhuar me seanca të tjera gjyqësore të paracaktuara, dështoi të mbahet të mërkurën seanca e kolegjit të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, ku pritej të elaborohen ankesat e palëve në rastin ku Kastrati është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 4 vjet burgim për aksidentin ku humbi jetën Z.Gj.
Kolegji i gjyqtarëve që pritet të shqyrtojë pretendimet ankimore të të gjitha palëve në këtë rast ka këtë përbërje: Mehmet Ndrecaj- kreytar i kolegjit, Abdullah Ahmeti- gjyqtar referues, si dhe anëtare- Ivana Milenkoviq.
Sipas gjykatësit Ahmeti, avokatja Sadikaj ka njoftuar Gjykatën se është e angazhuar në gjykime të tjera të paracaktuara, ndërkaq vetë i akuzuari Kastrati gjendet jashtë vendit për shkaqe familjare.
Në këto rrethana, seanca e sotme dëshoi, kurse e radhës u caktua për në muajin maj.
Prezent në gjykim ishte pala e dëmtuar me avokatin Milot Neziraj.
Kujtojmë se Kastrati më 1 korrik 2025 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, duke e gjykuar me 4 vjet burgim dhe dënim plotësues- “Marrja e lejes së vozitjes” për katër vjet.
Kastrati e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar për veprën penale që i vihej në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, thuhet se më 1 prill 2025, i akuzuari Argjend Kastrati, nga pakujdesia shkel Ligjin mbi trafikun publik dhe shkakton vdekjen e viktimës Z.Gj. Aktakuza thotë se gjersa i pandehuri ishte duke qarkulluar me automjetin e tij në rrugën brenda vendbanimit ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h, me të arritur tek vendkalimi për këmbësorë, ku kishte qenë duke e kaluar rrugën viktima nga ana e majtë e drejtimit të lëvizjes së automjetit për në anën e djathtë, me një shpejtësi lëvizjeje prej 89.31 km/h, nuk i kushton kujdes të veçantë viktimës dhe nuk i jep përparësi, por e godet me pjesën e përparme të anës së djathtë të veturës, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të cilave viktima nuk ka mundur t’u mbijetojë.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e lëndimeve, viktima Z.Gj., ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me këto veprime, Kastrati akuzohej se ka kryer veprën penale ““Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par. 9 lidhur me par. 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi