Zjarr në një fabrikë në Prizren, një punëtor dërgohet në spital
Foto: Laura Hasani

Zjarr në një fabrikë në Prizren, një punëtor dërgohet në spital

Kronika April 07, 2026 - 10:36

Një zjarr i madh ka shpërthyer sot rreth orës 03:00 të mëngjesit në një fabrikë në fshatin Mushnikovë të Prizrenit.

Rastin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për këtë rajon.

Bytyqi deklaroi se si shkak i tymit, një punëtor i fabrikës në fjalë u dërgua për trajtim në Emergjencë.

“Sipas mjekut kujdestar, nuk ka pësuar lëndime të dukshme”, deklaroi Bytyqi.

Ai theksoi se dëmet sipas deklarimit të pronarit janë të konsiderueshme dhe kapin shifrën e 400 mijë eurove.

“Sipas informatave të grumbulluara nga dëshmitarët dhe pronari i fabrikës, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një makineri që përdoret për thithjen e pluhurit”, theksoi ai.

“Patrulla policore i është përgjigjur menjëherë rastit, së bashku me njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin, duke e vënë situatën plotësisht nën kontroll. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesi i Stacionit Policor në Prizren, si dhe njësia e Krim-Teknikës. Lidhur me rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve Rajonale, si dhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Incident zjarri”, shtoi Bytyqi.