Shtetasi i Shqipërisë në shënjestër të drejtësisë së Gjakovës për shitblerje droge

Shtetasi i Shqipërisë në shënjestër të drejtësisë së Gjakovës për shitblerje droge

Kronika April 04, 2026 - 12:34

Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ndaj të pandehurit me inicialet A.B., shtetas i Shqipërisë, ka filluar hetimi dhe ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, më 3 prill 2026 rreth orës 12:30, në Gjakovë, rruga “Megzon Boshnjaku”, në parkingun e restorantit “O…”, i pandehuri posedonte dhe transportonte substanca të ndaluara pa autorizim, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes, raporton Zeri.info.

Policia e Kosovës ka vëzhguar të pandehurin dhe e ka ndaluar në parking, duke kryer kontroll në automjetin e tij, “Ford Focus”. Gjatë kontrollit janë gjetur dhjetë qese me substancë narkotike të dyshuar për marihuanë, në peshë totale prej 5 kg e 413 gr.

Prokuroria njofton se me këto veprime, A.B. dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 par.2 të KPRK-së.

Gjithashtu, janë sekuestruar automjeti dhe dy telefona të përdorur për transportin e narkotikëve. Që nga data 3 prill 2026, i pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh nga Prokurori i Shtetit. /Zëri