Dogana konfiskon cigare elektronike të padeklaruara në Merdare, vlera 10 mijë euro
Dogana e Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka konfiskuar në Merdare mallra të padeklaruara nga një autobus i linjës ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Doganës, thuhet se rasti ka ndodhur sot, ku thuhet të jetë paraqitur një autobus i linjës ndërkombëtare, raporton Zeri.info.
Njoftimi i plotë:
Merdare 4 prill 2026 në Pikëkalimin Kufitar Merdare, është paraqitur një autobus i linjës ndërkombëtare derisa gjatë procedurave fillestare të kontrollit, zyrtarët doganor kanë pyetur drejtuesin e automjetit nëse kishte mallra për të deklaruar, me ç’rast i njëjti është përgjigjur negativisht.
Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, automjeti është selektuar për kontroll të vijës së dytë dhe është dërguar në hapësirat e kontrollit të detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në pjesën e motorit si dhe në hapësirën e tualetit, është zbuluar mall i fshehur.
Janë evidentuar tri pako me cigare elektronike, në sasi prej 500 copë, me vlerë të përafërt rreth 10,000.00 euro.
Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet përkatëse duke ndaluar përkohësisht mallin deri në përfundimin e procedurave administrative.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme në kufi.