Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Mustafë Gashi

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Mustafë Gashi

Kronika April 03, 2026 - 22:27

Ka ndërruar jetë sot veterani i UÇK-së, Mustafë Gashi. Lajmin e bëri të ditur familja e tij.

Mustafë Gashi ka shërbyer si Drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet më datë 04.04.2026, në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Suharekë.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën.

I ndjeri ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku dha një kontribut të paçmuar në detyra dhe funksione të rëndësishme deri në përfundimin e luftës. Më pas, ai vazhdoi kontributin e tij në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, duke dhënë një kontribut të çmuar për lirinë e vendit dhe ndërtimin e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës.

Rrugëtimin profesional e vazhdoi si bashkëthemelues dhe udhëheqës i Qendrës së Situatave pranë Këshillit të Sigurisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kontributin vetëmohues e vazhdoi në Departamentin e Menaxhimit Emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me procesin e transformimit të tij në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.