Tri raste të kalimit ilegal të kufirit brenda një dite në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të ndryshme të kalimit ilegal të kufirit gjatë 24 orëve të fundit.
Rasti i parë është një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyti shtetas i Turqisë, kurse i fundit shtetas kosovar.
Tre të dyshuarit janë shoqëruar në Polici, kurse më pas janë liruar me procedurë të rregullt.
“Han i Elezit/ 02.04.2026 - 13:25. Është ndaluar i dyshuari mashkull, shtetas i Maqedonisë Veri, nën dyshimin se ka kaluar ilegalisht kufirin R. Maqedoni Veri për në R. Kosovë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.
“Han i Elezit / 02.04.2026 - 13:40. Është ndaluar i dyshuari mashkull, shtetas i Turqisë, nën dyshimin se ka kaluar ilegalisht kufirin R. Maqedoni Veri për në R. Kosovë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.
“Fsh. Bube, Zubin Potok / 02.04.2026 – 20:45. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi me veturë dyshohet se kishte kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia për në R. e Kosovës. Në veturën e të dyshuarit janë gjetur edhe mallra të ndryshme pa dokumente përkatëse. Me vendim të prokurorit, vetura me mallra është dërguar në terminal doganor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”. /Zëri