Mashtrim me prona në Ferizaj: Arrestohet edhe një i dyshuar, dëmi rreth 3 milionë euro
Foto: Laura Hasani

Mashtrim me prona në Ferizaj: Arrestohet edhe një i dyshuar, dëmi rreth 3 milionë euro

Kronika April 02, 2026 - 21:17

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në vazhdën e hetimeve për një rast të mëhershëm, ka njoftuar se ka intervistuar personin me inicialet B.L. (1990) në cilësinë e të dyshuarit.

Sipas njoftimit të PK-së thuhet se, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer veprat penale “Mashtrim”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, raporton Zeri.info.

"Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, duke falsifikuar dokumentet e identifikimit dhe certifikatën e pronës së palës ankuese, kanë arritur të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme një pronë me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në komunën e Ferizajt, me vlerë të përafërt rreth 3 milionë euro.Më pas, prona dyshohet se është parcelizuar dhe shitur te persona të tretë", thuhet në njoftimin e PK-së.

Në bazë të urdhrit për kontroll, është kryer bastisje në një lokacion, ku janë gjetur dhe konfiskuar një telefon mobil dhe dokumente që ndërlidhen me rastin.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Policia rikujton se më 19 shkurt 2026 janë arrestuar edhe katër persona të tjerë në lidhje me këtë rast, të cilët dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje. /Zëri