I akuzuari për vrasjen në Hajvali: Vrasjen e kreu vëllai im i mitur, jam munduar ta marr përgjegjësinë për ta shpëtuar atë
Foto: Laura Hasani

I akuzuari për vrasjen në Hajvali: Vrasjen e kreu vëllai im i mitur, jam munduar ta marr përgjegjësinë për ta shpëtuar atë

Kronika April 02, 2026 - 13:57

Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Shkumbin Kryeziut, i cili ngarkohet për vrasjen e V.Xh., në dhjetor të 2021-ës në Hajvali, gjatë fjalës përfundimtare deklaroi se ai nuk e ka kryer vrasjen për të cilën ngarkohet por që kryerësi është vëllai i tij i mitur, për të cilin është munduar ta marrë përgjegjësinë.

“Është e vërtetë që unë te vëllau jem jam mundu me marrë përgjegjësinë komplet, me qëllim me shpëtu vëllaun tem nga burgu. Por, këtë gjë e ka vërtetu gjykata- të trija shkallët te vëllau jem se deklarimet e mia kanë qenë jo të vërteta dhe se vrasjen e ka kryer vëllau jem i mitur. Unë nuk e kam kry këtë vrasje, këtë vepër, dhe sot ju kisha lut juve të mos më dënoni për diçka që nuk e kam ba unë dhe të mos ma shkatërroni jetë. Përveç keqardhjes, nuk kam çka me shtu tjetër”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Florent Latifaj, deklaroi se duke u bazuar në fjalën e tij përfundimtare të dhënë në shqyrtimin gjyqësor paraprak, dëshmitë e dëshmitarëve, ekspertizën e rikonstruimit të vendit të ngjarjes dhe dëgjimin e të akuzuarit, propozon që i njëjti të lirohet nga akuza ngase nuk është kryerës i veprës penale.

Gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, prokurori i rastit Arben Hoti kërkoi nga Gjykata që Kryeziu të dënohet për veprimet e tij dhe pasojën që shkaktoi e jo për atë që tentoi të thotë gjatë këtij gjykimi.

Po ashtu, ai propozoi që Kryeziu të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore.

Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Alban Krasniqi, tha se mbështet fjalën e prokurorit dhe kërkon që i akuzuari të shpallet fajtor, të kualifikohet vepra penale në “Vrasje të rëndë” dhe të dënojë të akuzuarin me dënim maksimal.

Paraprakisht në këtë seancë, i akuzuari Kryeziu deklaroi se për veprën penale të armëmbajtjes pa leje e pranon fajësinë, ndërsa sa i përket mbrojtjes së tij, tha se është deklaruar njëherë në Prokurori dhe një herë e ka dhënë mbrojtjen e tij para një trupi tjetër gjykues, andaj nuk dëshiron të deklarohet përësi.

“Nuk kisha pas dëshirë të deklarohem prapë, sepse mbrojtja jem do të mund të shkaktonte tension në sallë, por nëse ju keni ndonjë pyetje mund të përgjigjem”, deklaroi i akuzuari Kryeziu.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 25 korrik 2024, e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vite burgim. Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar më 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhet se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi, të bëhet i njëjti.

Ndryshe, për veprën penale “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, Kryeziu kishte pranuar fajësinë më 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar. Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.

Në aktakuzë thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh., në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh. dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre, duke i rënë rrugës më të shkurtër në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku në oborrin e shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh. me fjalët “çka po më kqyr?”.

Ndërsa tani i ndjeri V.Xh. thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metrash, dhe në të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh. “ik se ka thikë”. Në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë, së bashku me të miturin A.K., e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli. Ky i fundit është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.Xh., me dashje që ta privojnë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V.

Ata kanë vazhduar ta ndjekin dhe, derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim, duke i thënë: “Ik se ta bajna ma zi se atina.”

Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur, kur përnjëherë ishte rrëzuar për tokë dhe ka qenë i tëri i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën”, e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.

Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin A.K. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrimin “Leatherman Sidekick”, të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si në dispozitivin I të aktakuzës dhe të cilën policia e ka gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Kryeziu gjatë arrestimit të tij.

Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.