Dyshohet se vodhi 9 kg ar në vlerë rreth një milion euro, në pranga një person në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një person me inicialet Xh.V. për 48 orë, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se i lartcekuri ka vjedhur rreth 9 kilogramë ar në një argjendari, vlera e të cilit arrin një milion euro, raporton Zeri.info.
Po ashtu gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë pa leje dhe një diamant.
“Ndaj pasurisë së të pandehurit, përkatësisht një veturë të tipit BMW X6 dhe një banesë në lagjen ‘Tophane’, në vlerë rreth 110.000 euro, do të lëshohet urdhër i përkohshëm ndalimi, si dhe do të parashtrohen kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar lidhur me pasurinë e sekuestruar.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thekson Prokuroria në komunikatën për media. /Zëri