Pesë të arrestuar gjatë operacionit antidrogë në Prishtinë – drogë, para dhe vetura të sekuestruara
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), ka realizuar me sukses një operacion antidrogë të koduar “D…”.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të Shtetit janë ndaluar pesë persona në raste të ndërlidhura mes vete. Katër prej tyre dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa një person tjetër për “Hyrje të paautorizuar kompjuterike” dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Pas hetimeve intensive dhe grumbullimit të informatave relevante, organet e rendit kanë identifikuar katër të dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike, kryesisht marihuanë dhe kokainë, në Komunën e Prishtinës.
Në kuadër të operacionit, janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme të narkotikëve dhe prova të tjera materiale. Në mesin e tyre janë mbi 3 kilogramë marihuanë, rreth 12 gramë kokainë e ndarë në 25 qese, para të gatshme në valuta të ndryshme, dy vetura dhe katër telefona celularë.
Prokurori i shtetit pritet që brenda afatit ligjor të paraqesë kërkesë për caktimin e masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit. /Zëri