Aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren

Aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren

Kronika March 25, 2026 - 10:25

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, lidhur me një projekt infrastrukturor në fshatin Vlashnje.

Sipas njoftimit, i pandehuri B.J., në cilësinë e personit zyrtar dhe mbikëqyrës i projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje, rrugët dhe ndriçimi publik”, dyshohet se gjatë periudhës gusht 2022 –gusht 2024 ka tejkaluar kompetencat duke përpiluar raporte dhe situacione fiktive për realizimin e punimeve, në kundërshtim me Ligjin për prokurim publik.

Prokuroria bën të ditur se përmes këtyre veprimeve është vënë në lajthim Komisioni për Pranimin Teknik, i cili ka konfirmuar gabimisht përfundimin e punimeve sipas kontratës, ndonëse në terren ato nuk ishin realizuar siç parashihej.

Si pasojë, janë kryer pagesa në favor të operatorëve ekonomik “M.B.G.” SHPK dhe “A.P.” SHPK, pavarësisht se punimet nuk kishin përfunduar sipas kushteve kontraktuale.

Sipas aktakuzës, Komuna e Prizrenit është dëmtuar me 18,765 euro, ndërsa e njëjta shumë konsiderohet përfitim i kundërligjshëm për operatorët ekonomikë.

Ndërkohë, i pandehuri J.B., si përfaqësues i autorizuar i kompanive të përfshira, dyshohet se në bashkëpunim me B.J. ka shkelur procedurat e prokurimit publik me qëllim përfitimi pasuror, duke mos përmbushur detyrimet kontraktuale.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Zëri