Mbi 200 persona dyshohen për manipulim votash në Pejë, priten 31 kallëzime penale
Në Pejë pritet të dorëzohen gjithsej 31 kallëzime penale ndaj mbi 200 personave, të dyshuar për falsifikim dhe manipulim të rezultateve zgjedhore për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Rastet lidhen me ndërhyrje në procesin e numërimit dhe evidentimit të votave, ku të dyshuar janë kryesues dhe komisionerë të përfshirë në procesin zgjedhor.
“Rastet lidhen me ndërhyrje në procesin e numërimit dhe evidentimit të votave, ndaj kryesuesve dhe komisionerëve të dyshuar”, tha Nikçi për Klan Kosova.
Nikçi ka bërë të ditur se hetimet janë zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë administrimit të votave, ndërsa autoritetet janë në fazën e procedimit të rasteve përkatëse.
Ndryshe, edhe më herët janë raportuar raste të ngjashme për manipulim votash në këtë komunë, duke ngritur shqetësime për integritetin e procesit zgjedhor.