Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari për grabitje nga Interpoli
Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Gjermania, i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar për veprën penale “grabitje”.
Sipas njoftimit, ekstradimi është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me institucionet vendore dhe autoritetet gjermane.
I dyshuari me inicialet S.N. ishte arrestuar në Gjermani pasi kërkohej nga INTERPOL-i, me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Grabitje’ dhe se i njëjti iu ishte shmangur drejtësisë,” thuhet në njoftim.
Pas ekstradimit në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, ku pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia theksoi se realizimi i këtij ekstradimi është bërë falë bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet gjermane.