Rasti i fëmijës 5 vjeçar ishte i njohur prej vitesh - gjithçka që dihet deri më tani për ngjarjen e rëndë në Lipjan

Rasti i fëmijës 5 vjeçar ishte i njohur prej vitesh - gjithçka që dihet deri më tani për ngjarjen e rëndë në Lipjan

Kronika March 20, 2026 - 13:07

Policia e Kosovës ditë më parë njoftoi se një i mitur ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Rasti u bë e ditur se ka ndodhur në Lipjan, ndërsa prindërit e tij u arrestuan për shkak të shkeljes së detyrimeve familjare.

Ky rast tronditi opinionin, gjersa u njoftua se bëhet fjalë për një fëmijë 5-vjeçar dhe prindër me probleme të shëndetit mendor.

Më shqetësuese u theksua fakti që rasti nuk ishte i panjohur për autoritetet përkatëse, pasi me këtë familje ishin marr edhe më parë.

Pas dërgimit të fëmijës 5-vjeçar në Repartin Intensiv të Pediatrisë, kjo klinikë ka njoftuar për gjendjen shëndetësore të të miturit.

Nga njoftimi i fundit që ka lëshuar QKUK bëhet e ditur se pacienti 5 vjeç është i hospitalizuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik.

Ai i është nënshtruar një intervenimi të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike, ndërkaq gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile.

Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore.

E pasi u bë publik rasti, Qendra për Punë Sociale në Lipjan tashmë ka marr nën përkujdesje edhe fëmijët tjerë të asaj familjeje.

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli ka thënë se institucioni ka vepruar sipas kompetencave ligjore duke ndërhyrë menjëherë në rastet kur ka pasur rrezik për fëmijët.

Rasti në Lipjan, QPS merr nën përkujdesje edhe fëmijët e tjerë të çiftit të arrestuar

Ajo theksoi se janë marrë masa emergjente mbrojtëse, përfshirë largimin e përkohshëm nga familja, bazuar në vlerësim profesional dhe në interesin më të mirë të fëmijëve.

Lidhur me rastin kanë reaguar organizatat e shoqërisë civile dhe ato për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5-vjeçar nga Komuna e Lipjanit.

KOMF thekson se sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh.

“Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre. Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave të menjëhershme në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në reagim.