Pronari i një lokali në Gjakovë dyshohet se ka vrarë klientin
Një pronar i një lokalit te Çarshia e Vjetër në Gjakovë mëngjesin e sotëm ka shtënë me armë zjarri drejt një klienti pas një mosmarrëveshjeje, me ç’rast e ka lënë të vdekur.
Madje, të plagosur la edhe një tjetër person.
Për teve1.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graisha, tha se i dyshuari është emër i njohur për policinë, ndërkohë që i njëjti gjendet në arrati.
“Dyshohet që vrasja të ketë ndodhur rreth orës 05:20 në një lokal në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë. Sipas informatave të para, dyshohet se pronari i një lokali pas një mosmarrëveshjeje me një klient ka përdorur armën e zjarrit, me ç’rast një person ka mbetur i vdekur në vendngjarje (vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje) ndërsa një person tjetër i plagosur është dërguar në Spitalin Rajonal për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
I dyshuari (në arrati për momentin) është i njohur për policinë dhe njësitet policore janë në kërkim të tij. Në vendngjarje janë të gjitha njësitet relevante, duke kryer procedurat e nevojshme ligjore nën mbikëqyrje të afërt të kryeprokurorit të Shtetit”, tha ai.